1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çfarë shansi ka Ekmeleddin Ihsanoglu?

Akademiku dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Ekmeleddin Ihsanoglu, është kandidati i dy partive kryesore opozitare turke në garën për postin e presidentit.

Në moshën 70 vjeçare shkencëtari dhe diplomati Ihsanoglu hyn në politikën e brendshme turke. I lindur dhe i rritur në Kajro, ai ka punuar për shumë vite jashtë vendit, kryesisht në Arabinë Saudite, Jeddah, në selinë e OIC. Si kreu i bashkësisë më të madhe të shteteve myslimane Ihsanoglu vitin e kaluar hyri në konflikt me qeverinë të Erdoganit lidhur me vlerësimin e humbjes së pushtetit të presidentit egjiptian Mohamed Mursi. Ihsanoglu refuzoi kërkesën turke, që të dënohet Egjipti për shkak të shkarkimit të tij.

Ihsanoglu flet pesë gjuhë dhe me flokët e tij të thinjur duket shumë „efendi“, siç thonë turqit për një zotëri. Në intervistën e tij të parë që prej emërimit të tij ai theksoi të mërkurën në gazetën opozitare „Cumhuriyet“ rëndësinë e themeluesit të shtetit Mustafa Kemal Atatürk, një gjest drejtuar përkrahësve të partisë sekulariste CHP, nga kryetari i së cilës Kemal Kilicdaroglu ai u propozua. Kilicdaroglu ra dakord me partinë nacionaliste MHP për të nxjerrë Ihsanoglu-n si kandidatin e tyre të përbashkët.

„Një vendim shumë i mençur“

Ihsanoglu duhet të arrijë që të bëjë për vete dhe të bashkojë kampin opozitar dhe në të njëjtën kohë të fitojë zgjedhës prej partisë së Erdoganit AKP, si dhe të partisë islamiste Saadet. Për këtë mund të ndihmojë karakteri i kandidatit: ai është një mysliman i devotshëm dhe sekularist në të njëjtën kohë. Gruaja e tij Fusun i mban flokët e hapura dhe pa shami.

Në foto: Ekmeleddin Ihsanoglu

Në foto: Ekmeleddin Ihsanoglu

Por në kampin opozitar nuk janë të gjithë të kënaqur me kandidatin e përbashkët. Kështu krahu ekstra konservator i CHP reagon me indinjatë. Një nga drejtueset e grupit, deputetja Nur Serter, deklaroi se i vjen turp për vendimin e udhëheqjes së partisë së saj. Për politikanë si Serter, Ihsanoglu është tepër fetar. Sipas njoftimeve të shtypit nuk përjashtohet mundësia që disidentët në CHP të paraqesin një kandidat të vetin. Edhe përfaqësues të alevitëve, një pakicë islame, që ndjehet e diskriminuar nga shumica sunite në Turqi, nuk e pranojnë Ihansoglu-n.

Hulumtuesit e opinionit e shohin me skepticizëm kandidaturën e 70-vjeçarit. „Ai duhet të fitojë për vete zgjedhësit e bazës së AKP-së, por për këtë duhet që të mbledhë rreth vetes bazën e vet. CHP është e përçarë“, thotë Adil Gür, shef i institutit të demoskopisë A&G, për Deutsche Welle. Shumë votues besnikë të opozitës mund të mos dalin në votime në shenjë proteste, gjë që do të rriste shansin për fitoren e Erdoganit. Përveç kësaj Ihsanoglu nuk ka më shumë kohë, për t'u prezantuar tek më shumë se 50 milionë zgjedhësit në Turqi.

„Ai nuk ka shans“

Po kështu mendon edhe kolegu i Gür-it Mehmet Murat Pësteki nga Instituti i hulumtimit të opinionit ORC. „Ai nuk ka shans“, i tha Pësteki Deutsche Welles për Ihsanoglu. Duke patur parasysh se kandidati është relativisht i panjohur opozita është dashur që ta vinte në pankarta kandidatin e saj që në pranverë dhe jo kaq shkurt para zgjedhjeve. Gür flet edhe për mungesën e eksperiencës politike të Ihsanoglu. Zgjedhjet e para direkte të presidentit të shtetit në gusht do të krijojnë de facto një sistem presidencial, për këtë arsye në këtë vend duhet një politikan i përgatitur. „Ai është burrë i mirë, por jo politikan", thotë Gür për Ihsanoglu.

Për këtë arsye ekspertët Gür dhe Pësteki thonë se Erdogan ka shanse të mira për të marrë që në raundin e parë më 10 gusht, më shumë se 50 për qind të votave dhe për t'u bërë president. Nëse të gjithë kandidatët nuk e arrijnë nivelin 50 për qind, do të ketë një balotazh më 24 gusht. Deri në 3 korrik kërkesat duhet të regjistrohen zyrtarisht me zyrën zgjedhore. Partia kurde HDP dëshiron të paraqesë kandidatin e saj, të cilin do ta bëjë të ditur në fundjavë.