1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çfarë pret Izraeli nga vizita e ministrit Vestervele?

Ministri i Jashtëm gjerman Vestervele filloi sot (23.11) një vizitë në Izrael. Vëzhguesit presin me interes takimin e Vesterveles me homologun e tij izraelit Lieberman, për shkak të politikës së tij nacionaliste.

Çfarë pret Izraeli nga vizita e Gido Vesterveles? Ne foto: ministri i jashtem gjerman Vestervele me flamurin izraelit ne sfond

Çfarë pret Izraeli nga vizita e Gido Vesterveles?

Rrethanat e vizitës janë të ndryshme nga viti 2002

Para rreth shtatë vjetësh, kur Guido Vestervele ishte në fund të majit të vitit 2002 për një vizitë në Izrael në funksionin e kryetarit të FDP-së e pati misionin shumë më të vështirë se kësaj here. Asokohe Izraeli ishte i zemëruar me zëvendësin e atëhershëm të Vesterveles, Jyrgen Mëleman. (Möllemann). Mëlemani e kishte kritikuar ashpër Ariel Sharonin, i cili ishte në atë kohë kryeministër, për shkak të politikës së tij ndaj palestinezëve dhe kishte shprehur një lloj mirëkuptimi për atentatet vetëvrasëse të palestinezëve. Intifada e dytë kishte arritur kulmin e saj. Vestervele nxitoi të shkonte në Jeruzalem, për të sheshuar problemet, aq më tepër që edhe ai vetë akuzohej se nuk ishte distancuar si kryetar partie me shpejtësinë dhe qartësinë e duhur prej Mëlemanit dhe antisemitizimit në përgjithësi.

Gido Vestervele nuk ka pse të merret me të tilla probleme gjatë vizitës së tij të tanishme në Izrael. Gjermania konsiderohet partner i besueshëm dhe prej Ministrit të ri gjerman të Punëve të Jashtme pritet që ai të vazhdojë ndaj Izraelit politikën miqësore të paraardhësit të tij. Vetëm gazeta konservatore e djathtë „Jerusalem Post“ përmendi në një informacion me rastin e vizitës së Vesterveles aferën e Mëlemann-it. Përndryshe interesi në lidhje me vizitën e tij në Izrael nuk është shumë i madh.

Mospajtim me politikën e Avigdor Libermanit

Gjithsesi, disa pika konflikti janë të pranishme. Ato lidhen edhe me personin dhe pikëpamjet ultra-nacionaliste dhe politikën jo rrallë raciste të Ministrit të Jashtëm izraelit, Avigdor Liberman (Lieberman).

Avigdor Libermani ka një qëndrim të ndryshëm nga ai i bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me ngritjen e ngulimeve të reja hebreje në territoret palestineze. Po ashtu një pikë tjetër konflikti është edhe qëndrimi tij i rezervuar ndaj procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

Po ashtu Vesterveleja nuk do ta pranojë të ashtuquajturën „politikë transferimi“, që Liberman-i ka ndër mend ta përdorë në lidhje me arabët që jetojnë në Izrael. Sipas kësaj politike, territoret me popullsi të madhe arabe duhet t'i kalojnë zonës palestineze të Jordanit Perëndimor, duke fituar në këtë mënyrë të drejtën për të aneksuar zona të tëra në të cilat gjendet ngulime hebreje.

Po ashtu Jeruzalemi kërkon nga Gjermania më tepër mbështetje në lidhje me Iranin, programi atomik i të cilit shihet prej Izarelit si një kërcënim ekzistencial. Në këtë pikë dëgjohen gjithmonë kritika në lidhje me marrëdhëniet intensive të firmave gjermane me Iranin.

Autor: Hans Joachim Wiese/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 23.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KdPZ
  • Data 23.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KdPZ