1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çfarë pasojash ka për Gjermaninë strategjia e re e ushtrisë së SHBA-së?

Më e vogël, me efikase dhe më fleksibël duhet të jëtë në të ardhmen ushtria e SHBA-së, kështu është parashikuar në dokumentin e strategjisë së re. Pikërëndesa e saj në drejtim të Azisë - me pasoja për Gjermaninë.

Manovra të forcave amerikane në Korenë e Jugut në 2010

Manovra të forcave amerikane në Korenë e Jugut në 2010

Edhe amerikanëve në SHBA u duhet të kursejnë. Në sfondin e borxhit shtetëror prej mbi 15 billionë dollarë kjo është e kuptueshme. Dy luftra jashtëzakonisht të shtrenjta në Irak dhe në Afganistan kanë bërë që buxheti i mbrojtjes në SHBA dhjetë vjetët e fundit të shpërthejë. Ndaj forcat e armatosura nuk mund t'i shpëtojnë masave të kursimit, tha presidenti i SHBA-së Barack Obama gjatë prezantimit të tij të pazakontë në Pentagon (05.01.12). Obama me kokën e tij paraqiti strategjinë e re të mbrojtjes së SHBA-së. Nuk duhet kursyer arbitrarisht duke përfshirë të gjithë sektorët, por kursimet duhet të jenë shenjë e strategjisë.

Pikërëndesa e strategjisë së re ushtarake të SHBA-së në të ardhmen duhet të orintohet më fort ndaj hapësirës aziatike të Paqësorit, pasuar nga Lindja e Mesme. Europa kësisoj spostohet në vendin e tretë të listës së prioriteteve gjeostrategjike të SHBA-së. Rajoni aziatiko-paqësor dhe Lindja e Mesme kanë "rëndësi në rritje për të ardhmen e SHBA-së sa i përket ekonomisë dhe sigurisë kombëtrare", tha ministri i Mbrojtjes Leon Panetta. Atje do të zgjerohet prezenca. Megjithatë edhe në aleancat si NATO duhet të intensifikohen.

"Prania e trupave në Europë do të reduktohet edhe më shumë"

Presidenti i SHBA Barack Obama duke folur në Pentagon për strategjinë e re ushtarake të SHBA

Presidenti i SHBA Barack Obama duke folur në Pentagon për strategjinë e re ushtarake të SHBA

Angazhimi në Europë është e nevojshëm që t'i përshtatet rrethanave të reja, tha Panetta, "kryesisht në dritën e nevojave të sigurisë së kontinentit krahasuar me prioritetet strategjike diku tjetër". Me ndërkohë rreth 52.000 ushtarë nga SHBA-ja, Gjermania është stacioni i dytë për nga madhësia i ushtrisë amerikane. Por edhe sa kohë do të jetë kështu? "Amerikanët me siguri do të vazhdojnë ta zvogëlojnë praninë e trupave të tyre në Europë duke i mbyllur kësisoj bazat e stacionimit", parashikon Otfried Nassauer, drejtor i Qendrës berlineze të Informacionit për Sigurinë Transatlantike, shkurt BITS. Disa rajone në Gjermani mund të kenë pasoja ekonomike nga largimi i trupave amerikane si rrjedhojë e orientimit të ri ushtarak të SHBA-së. Edhe Oliver Thränert, ekspert i sigurisë pranë fondacionit Shkenca dhe Politika llogarit me pakësim të trupave, por nuk mendon se do të ketë "tërheqje të plotë", siç thekson ai në intervistë për DW-WORLD.DE. "Kryesisht baza në Ramstein ka një rëndësi të veçantë sa i përket strukturave të komandës, komunikacionit dhe përkujdesit shëndetësor për ushtarët amerikanë."

Pasojat e strategjisë së re për Gjermaninë janë edhe më konkrete, nëse i hedh një vështrim telegrameve sekrete të Ministrisë së Jashtme të SHBA-së të publikuara në platformën Wikileaks. Telegramet mbajnë datën 21 janar 2010. Përmbajtja mjaft sekrete e tyre është: Më së voni në 2015-ën duhet të tërhiqen gjithsej 10.471 ushtarë dhe nëpunës të SHBA-së nga Gjermania. Të prekur janë 23 baza kryesisht landet Hesen dhe Baden-Vyrtemberg. Objektet e liruara duhet t'i dorëzohen ushtrisë gjermane, Bundesver. Por në sfondin e reformës rrënjësore të Bundesverit nevojat do të jenë me siguri të kufizuara. Si rrjedhojë e largimit të trupave në Manhajm parashikohen humbje vjetore në buxhet në vlerën e rreth gjashtë milionë eurove. Në Hajdelberg, qyteti ku ndodhet garnizoni më i vjetër i SHBA-së, humbja vjetore parashikohet me rreth 7,5 milionë euro.

Amerikanët kanë ende armë bërthamore në Gjermani

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta

Se çfarë duhet të ndodhë me 20 armët atomike të SHBA-së të dislokuara së fundi në Fliegerhorst Büchel në landin e Pfalcit, kjo nuk është përshkruar në dokumentin e strategjisë së re. Sipas drejtorit të BITS Nassauer, ndonëse në këtë dokument është shkruar, që amerikanët nuk duhet të kontribuojnë më kaq fort sa në të kaluarën në "mbrojtjen klasike" të Europës, ata duan të vazhdojnë t'u përgjigjen detyrimeve të tyre kundrejt aleancës përmes pranisë së trupave në Europë. "Por nëse zvogëlon praninë e trupave të saj, SHBA mund të sinjalizojnë në aspektin politik më të fuqishëm armët e tyre bërthamore si kompensim", thotë Nassauer. Në mënyrë që të mos mendohet, se amerikanët s'po u përgjigjen më detyrimeve të tyre, mund të krijohet një argument i peshuar ndryshe për praninë e vazhdueshme të armëve bërthamore. Por presidenti Obama luftën për një botë pa armë atomike e pati vendosur si prioritet të politikës së tij. "Këtë mund ta interpretosh edhe sikur janë duke u peshuar mendimet për çarmatimin e mëtejshëm bërthamor."

Kërkohet më shumë angazhim për Gjermaninë

Baza ushtarake amerikane në Ramstein të Gjermanisë

Baza ushtarake amerikane në Ramstein të Gjermanisë

Nassauer mendon, se ka edhe një ndarje të re të detyrave për Gjermaninë në strategjinë e re ushtarake amerikane: "Europa nuk është konsumatore e sigurisë, që ofrojnë amerikanët, por në bashkëpunim me amerikanët ajo është furnitore e sigurisë në mbarë botën", thotë eksperti i sigurisë. "Mund të mendohet, që amerikanët të ngrenë pretendimin ndaj gjermanëve, që këta të marrin përsipër një pjesë të barrës së mbrojtjes ushtarake." Kjo s'do të thotë gjë tjetër veçse, që gjermanët me forcat e tyre të armatosura të jenë aktiv në ruajtjen e rendit botëror.

Në një konkluzion të ngjashëm arrin edhe eksperti i sigurisë Thränert. "Europa do të vazhdojë të mbetet një partner i rëndësishëm për SHBA-në, por nëse bëhet fjalë për konflikte ante portas, atëherë Europa duhet t'ia dalë vet mbanë në të ardhmen."

Autorë: Arne Lichtenberg / V. Filaj-Ballvora
Redaktoi: M. Cika-Kelmendi

DW.COM