1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çfarë mendon bota për lumturinë, demokracinë dhe varfërinë?

A ka një opinion publik global? Studjues të opinionit nga e gjithë bota përpiqen t'i japin përgjigje kësaj pyetjeje në një antologji të Gallup International. Ajo sjell vështrime interesante mbi qëndrimet e njerëzve.

Çfarë e dallon një shtet, në të cilin ke dëshirë të jetosh? Disa përgjigje janë të thjeshta. Ndërsa ndihmë të mëtejshme demoskopike mund të ofrojë një antologji e Gallup International: Voice oft the People 2015. What the World Thinks.

Çfarë tiparesh të përbashkëta kanë vendet, ku njerëzit jetojnë mirë? Standard të lartë jetese, sisteme funksionuese të arsimit dhe të shëndetësisë, dhe njerëz të kënaqur. Këto janë parametrat e dukshëm. Por ka edhe disa parametra të fshehtë, që nuk janë aq të dukshëm. Për shembull, që në vendet më të mira përqindja e ateistëve është më e lartë dhe përqindja e atyre, që janë të gatshëm për të luftuar për atdheun e tyre, është më e ulët.

Në vështrim të parë ateizmi dhe gatishmëria për të vdekur për një vend kanë pak të bëjnë me kualitetin e jetës. Megjithatë sondazhet globale, të cilat kryhen rregullisht nga Gallup International, sigurojnë dëshmi se vetëm te njerëzit në vendet e pasura janë shumë të përhapura qëndrime të tilla. Nga ana tjetër në Lindjen e Mesme, ku nuk ka pothuajse ateistë dhe gatishmëria për të dhënë jetën për atdheun është shumë e theksuar, kushtet e jetesës nuk janë gjithmonë të mira. Sigurisht vëzhguesi skeptik menjëherë mund të dallojë problemin, pula apo veza: cila ishte e para? Por kjo nuk e ndryshon faktin e lidhjes me demoskopinë.

Hendeku të pasur të varfër rritet. Pamje nga Sao Paolo Brazil

Hendeku të pasur të varfër rritet. Pamje nga Sao Paolo Brazil

Që në parathënie botuesi Kantcho Stoytchev ofron argumente të forta, se sondazhet e opinionit publik global fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi. Sot ne jetojmë në një ekonomi globale, por njëkohësisht në rrethanat e një politikë të përcaktuar kombëtare, shkruan Stoytchev. Si hap të parë për kapërcimin e kësaj kontradikte ai sheh sondazhet globale mbi temat e përzgjedhura. Për mendimin e sociologut bullgar, opinioni publik i ka kapërcyer tashmë kufijtë kombëtarë, tashmë ekziston një opinion i dukshëm publik rajonal, thotë ai. Dhe vëllimi ofron shumë shembuj të tillë. Nga Evropa Perëndimore, për shembull. Apo nga Ballkani.

E keqja më e madhe: varfëria

Nëse në këtë mënyrë një ditë mund të krijohej një opinion publik global? Sepse shumëçka është globalizuar në këtë botët: lajmet, konsumi, moda, mediet, interneti. Edhe shumë probleme të përbashkëta kanë njerëzit në tokë. Nga libri mësojmë se ekziston një konsens i gjërë, që varfëria është e keqja më e madhe e kësaj bote. Dhe njerëzit vuajnë nga pabarazia, që me sa duket rritet. Pabarazia dhe padrejtësia janë ato, që shkatërrojnë besimin te demokracia. Ivan Krastev, njëri nga autorët e vëllimit thotë: "Deri në vitet 1970 demokracia i ka bërë njerëzit më të barabartë, por që prej atëherë po i bën më të pabarabartë.“

Megjithatë shumica e të anketuarve e perceptojnë demokracinë në të gjithë botën si një sistem të mirë qeverisjeje, shkruan Iljaz Shafi Gilani. Madje besimi te demokracia është në rritje, mendon ai dhe e sheh këtë besim, në bazë të sondazheve, më së shumti në vendet jo shumë të mëdha, ku njerëzit fitojnë mirë dhe kanë një ndjenjë të barazisë dhe drejtësisë. Nëse shikoni tabelat, konstaton edhe se ithtarët e demokracisë kanë zakonisht një patriotizëm të shëndetshëm.

Brezi i mileniumit

Sociologët holandezë Pieter Paul Verheggen dhe Martijen Lampert portretizojnë me anë të sondazheve globale një brez, për të cilin patriotizmi nuk është më aq i rëndësishëm: "millennials", të lindur në mes të viteve 1980 dhe 2000. Këto rreth dy miliardë konsumatorë globale janë edhe brezi i parë i internetit dhe kanë shumë karakteristika të tjera të përbashkëta, disa prej të cilave janë të kuptueshme, disa të çuditshme. 37% e tyre e shohin veten si "qytetarë globalë", dhe 44% kanë një dëshirë të fortë: të jenë në qendër të vëmendjes. Nuk është e çuditshme, sepse subkultura e facebookut, twitterit, youtube dhe instagramit ka bërë një gjë primare: të kushtuarit e vëmendjes. Dhe për një millenial nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa një fotografi apo video të tij, që twitti i tij të jetë favorizuar, apo postimi i tij të ketë marrë një "like".

Roli i fesë

Nëse do të vëmë re këtë brez, mund të vinim lehtë në përfundimin se feja po dobësohet ngadalë në botë. Por nuk është e vërtetë, shkruajnë studiuesit argjentinas Marita Carballo dhe Ricardo M. Hermelo. Po, në Evropën Perëndimore, shoqëritë janë bërë më pak fetare, por diku tjetër besimi luan një rol qendror. Atje shumica e njerëzve janë fetarë dhe besojnë se feja është gjë e mirë. Kështu është veçanërisht në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine.

Përceptimi i varfërisë

Në varfëri nuk jetohet vetëm në Amerikën Latine. Opinioni publik global, nëse ekziston me të vërtetë, e sheh varfërinë si problemin më të madh në mbarë botën. Kjo nuk është për t'u çuditur. Të habitshme janë dallimet rajonale në perceptimin e varfërisë si e keqja më e madhe, perceptimi i humnerës gjigande në mes të pasurve dhe të varfërve. Sepse sondazhet globale të Gallup International tregojnë se popujt e Evropës Lindore dhe Qendrore, për shembull, vuajnë më shumë nga varfëria se bashkëkohësit e tyre në Lindjen e Mesme. Është e qartë se standardi i jetesës dhe cilësia e jetësës në Lindjen e Mesme janë më të ulëta. Atëherë pse janë ankesat e evropianoperëndimorëve më të mëdha?

Ndoshta për arsyen se gjatë regjimit komunist kanë qenë të bindur nga propaganda, se nuk ka më njerëz të pasur dhe të varfër? Për shkak se barazia komuniste i ka bërë thjesht të gjithë njëlloj të varfër dhe pas rënies së regjimit shumë shpresonin të bëheshin menjëherë të pasur? Por të pasur janë bërë vetëm shumë pak, në mënyra të pandershme, siç mendojnë shumica e evropianolindorëve. Hidhërimi i tyre bëhet i dukshëm një një tjetër studim. Është e vështirë të besohet, por bindja se vendet e tyre qeverisen në mënyrë demokratike dhe në favor të popullit, është më e përhapur në Afrikë sesa në Evropën Lindore dhe Qendrore.

Burrat dhe gratë janë të barabartë

Evropianët zënë vendin e parë në botë për barazinë gjinore

Evropianët zënë vendin e parë në botë për barazinë gjinore

Një "efekt të vonuar", kësaj rradhe pozitiv të epokës komuniste, studiuesit e opinionit global kanë zbuluar përmes një studimi mbi barazinë midis burrit dhe gruas. Në ketë pikë evropianolindorët janë aq përpara sa edhe bashkëkohësit e tyre të Evropës Perëndimore - në këtë pikë zënë vendin e parë në botë.

Autorët e kësaj antologjie, me vlerë për t'u lexuar, dëshirojnë t'i përgjigjen një pyetjeje shumë të ndërlikuar: a ka një mendim publik global? Në fund lexuesi nuk merr një përgjigje të qartë, por të paktën një tendencë është e dukshme: Qëndrimet e njerëzve në mbarë botën afrohen gjithnjë e më shumë. Kjo mbështetet nga sondazhi i fundit. Pyetjes, se "cilat mendoni se janë gjërat më të rëndësishme në jetë?", shumica e njerëzve i përgjigjet me "shëndeti" dhe "familja".

Voice of the People 2015. What the World Thinks. Global and Regional Issues, Gallup International, Zürich, 2015