1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çfarë mendojnë serbët për Gjermaninë?

Çfarë imazhi kanë Gjermania dhe gjermanët sot në Serbi? Tablloja që ekziston në Serbi për Gjermaninë dhe gjermanët është mjaft ambivalente, vlerëson për Deutsche Wellen historiani Predrag Markoviç.

Kancelarja Merkel dhe Ruzica Xhinxhic, e veja e Zoran Xhinxhicit

Kancelarja Merkel dhe Ruzica Xhinxhic, e veja e Zoran Xhinxhicit

Kur flasim për gjermanët si popull apo për qytetërimin gjerman, kjo pamje është mjat pozitive, thotë Predrag Markoviç: "Ne kemi grupe të mëdha të emigrantëve në Gjermani dhe nuk ka asnjë popull tjetër me të cilët serbët kanë kontakte më intensive se sa me gjermanët. Nuk ka produkte më të popullarizuara se ato gjermanet në Serbi."

Dallime midis popullit dhe shtetit gjerman

Megjithatë, nëse flasim për qëndrimin ndaj Gjermanisë si shtet, atëherë ai është shumë i keq, vë në dukje Markoviç dhe vazhdon: "Kjo nuk është vetëm një trashëgimi historike, sepse kujtimet e këqia vetëm sa u përforcuan nga politika gjermane e viteve nëntëdhjetë, kur Gjermania mbështeti të gjitha kombet me të cilat serbët ishin në luftë, dhe disa shumë energjikisht për shembull kur është fjala për Kroacinë dhe Slloveninë. Nga njëra anë, Gjermania mund të thotë se e ka bërë këtë nga dashuria ndaj serbëve dhe Ballkanit Perëndimor, por serbët nuk e kanë përjetuar kështu. Në këtë mënyrë dallon plotësisht raporti ndaj shtetit gjerman me raportin ndaj gjermanëve si popull, kulturë, qytetërim e kështu me radhë".

Kancelarja Merkel dhe kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkovic

Kancelarja Merkel dhe kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkovic

Shteti gjerman në këtë aspekt është ndër vendet më pak të preferuara në Serbi, vlerëson Markoviç: "Edhe pse pas vitit 2000 mbështetja gjermane ishte e madhe, ajo nuk arriti të shlyejë përshtypjen se Gjermania luajti një rol të madh në shkatërrimin e shtetit, për të cilin serbët konsideronin se duhet të mbetet i tillë siç ishte Jugosllavia dhe shkëputjen e territorit të Serbisë, siç është Kosova. Kjo tabllo nuk ka gjasa të përmirësohet përderisa qeveria gjermane nuk do të tregojë se ajo nuk preferon në rajon çdo shtet më shumë se Serbinë dhe derisa ajo nuk i bën të themi ndonjë lëshim Serbisë lidhur me Kosovën. Në aspektin politik ajo nuk i ka bërë Serbisë asnjë koncesion politik në 20 vitet e kaluara".


Të pasigurtë për synimet e mira të Gjermanisë

Mendimet e qytetarëve të Beogradit, në një mënyrë konfirmojnë qëndrimin ambivalent që ekziston në Serbi, kur është fjala për mënyrën se si perceptohet sot Gjermania:

"Unë Gjermaninë e shoh si një udhëheqëse të kësaj Evrope të re, e cila dominon në aspektin ekonomik, pavarësisht ndonjë aspekti ushtarak. Dominon me një lloj rendi dhe disipline, si gjithmonë", thotë një qytetar i Beogradit.

"Gjermania me sa e shoh unë është partneri ynë më i madh ekonomik, nuk më pëlqen pse e ka njohur Kosovën, por në një pjesë të madhe ajo bën këtu atë që dëshiron Amerika. Mendoj se Amerika ndërmerr lëvizjet, ndërsa ajo vetëm i bën aminin", thotë një burrë tjetër.

"Nga njëra anë është partneri më i rëndësishëm ekonomik, kjo dihet. Nga ana tjetër nuk jemi në valë të njëjta sa i përket raporteve dhe ndikimeve politike", thotë një banor tjetër i kryeqytetit serb.


Autor: Ivica Petroviç / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi