1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çfarë kursi do të ndjekë Irani në të ardhmen?

Presideni i ri iranian prezantoi strategjinë e tij politike për të ardhmen. Interesi mediatik ishte i jashtëzakonshëm, kur Hasan Rohani doli para mediave për të folur. Irani ndiqet me vëmendje edhe nga SHBA-ja.

Opinioni botëror e priti me shumë interes një moment të tillë: Çfarë do të thotë presidenti i ardhshëm i Iranit, Hasan Rohani mbi orientimin e vendit nën udhëheqjen e tij. Katër ditë pas fitores së papritur në zgjedhjet presidenciale, kleriku i moderuar doli para shtypit për të folur për tema, që ndiqen me mjaft interes nga Perëndimi. Mesazhi qendror drejtuar bashkësisë ndërkombëtare. "Irani ka nisur një kapitull të ri të moderuar."

Presidenti i ri iranian, Hassan Rohani

Presidenti i ri iranian, Hassan Rohani

Rohani kumtoi hapjen e një kapitulli të ri për grindjen atomike. Për të rritur besimin e botës tek vendi i tij, presidenti do të lejojë më shumë transparencë. Megjithëse ai i dënoi sanksionet ndërkombëtare kundër vendit të tij, Rohani deklaroi se programi atomik iranian do të vazhdojë dhe bëri të ditur edhe vazhdimin e pasurimit të uraniumit. Por në të njëjtën kohë ai premtoi t'i intensifikojë bisedimet atomike me SHBA, Britaninë e Madhe, Francën Rusinë, Kinën dhe Gjermaninë. "Për konfliktin atomik ekziston vetëm një zgjidhje diplomatike", tha ai. "Këcënimet dhe sanksionet nuk janë zgjidhja e problemit".

Epokë e re për grindjen atomike?

Këto deklarata sollën reagimin pozitiv të Uashingtonit. "Grupi 5+1 është rruga e duhur për ta zgjidhur konfliktin atomik", u shpreh Alan Eyre, zëdhënësi persishtfolës i ministrisë së Jashtme amerikane për Deutsche Welle-n. Në rast se fjalët e udhëheqjes së re iraniane ndiqen nga veprat, kjo mund të pasojë me zbutjen e politikës amerikane. "Ne e kemi theksuar disa herë se sanksionet nuk janë qëllimi, por vetëm mjeti. Po qe se Irani i përmbush detyrimet ndërkombëtare, dhe arrin ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që ka një shqetësim gjithnjë në rritje për këtë çështje, atëherë SHBA-ja do të jetë e gatshme t'i heqë sanksionet."

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Perëndimi e akuzon Iranin, se po përgatit fshehurazi bombën atomike, gjë që Teherani e mohon katërcipërisht. Gjatë mandatit tetë vjeçar të presidentit në largim, Mahmud Ahmedinexhad nuk u arrit asnjë sukses për këtë çështje. Frontet aktualisht janë tepër të ndara. Pikërisht për këtë edhe doza e optimizmit për ndryshimet që do të mund të sjellë presidenti i ri është e kursyer. Në fund të fundit ai është njeriu i dytë në shtet. Fjalën e fundit nuk e ka presidenti, por lideri fetar Ajatollah Ali Khamenei. Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme amerikane shprehet: "Si të themi, një dallëndyshe nuk sjell pranverën."

Fjalë drejtuar Uashingtonit

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit një plagë e vjetër të hapur.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit "një plagë e vjetër e hapur".

Presidenti i ri iu drejtua direkt edhe Uashingtonit. Gjendjen aktuale të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Iranit ai e cilësoi si "një plagë të vjetër të hapur". Tani bëhet fjalë të hidhen sytë nga e ardhmja dhe të ulen tensionet "në frymën e mirëdashjes dhe respektit të dyanshëm". Ky është një proces i vështirë dhe i komplikuar pas disa dhjetëvjeçarësh të largimit diplomatik prej njëri-tjetrit. "SHBA-ja duhet të mos përzihet më në punët e brendshme të Iranit, ajo duhet t'i pranojë të drejtat legjitime dhe ndërkombëtare që i takojnë Iranit, përfshirë edhe të drejtat atomike", u shpreh Rohani, i cili theksoi se vetëm pas kësaj do të jetë e mundur që të zhvillohen bisedime direkte mes dy vendeve.

Një temë tjetër e ndjeshme e që u prek në mënyrë të paplanifikuar në konferencën e shtypit ishte lirimi i ish-kandidatit për president, Hosein Musaui. Reformatori Musai ndodhet në arrest shtëpie. Një person kërkoi nga publiku në sallë lirimin e tij, por u largua menjëherë dhe konferenca e shtypit u ndërpre.