1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Çfarë kërkon vërtet AfD?

"Alternativa për Gjermaninë" (AfD) do të miratojë programin e parë bazë. A do të kthehet ajo në një parti antiislame? Vëmendjen e tërheq fjalia e programit të AfD: "Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë."

Kohët politike për "Alternativën për Gjermaninë", AfD duken të mira. Ndërkohë, kjo parti e themeluar në vitin 2013 përfaqësohet në gjysmën e parlamenteve të landeve. Anketimet e shohin AfD në Lindje të Republikës Federale me një mbështetje prej ndërkohë 20 përqind. Në ish-RDGJ, kjo parti zë pas CDU-së së Merkelit, madje vendin e dytë në radhitjen e partive. Si shkak për rritjen e mbështetjes për këtë parti sipas sondazheve - në të gjithë Gjermaninë AfD tani merr rreth 13 përqind - Instituti për Demoskopinë Allensbach shikon sjelljen e partive gjatë krizës së refugjatëve. "Shqetësimi i shumë qytetarëve nuk gjeti perceptim të vërtetë në Parlament", tha shefja e Allensbachut, Renate Köcher. Kjo ishte baza për suksesin e deritashëm të AfD.

Me siguri duke u nisur edhe nga ky pozicion force, AfD ka hequr dorë nga frika për të kontaktuar partitë populiste të djathta në Evropë. Sipas parimit "së bashku jemi të fortë", politikanët e AfD ushqejnë kontakte me FPÖ në Austri, me Le Pen në Francë ose me Geert Wilders në Hollandë. Organizata e rinisë e AfD madje ka kërkuar aleatë edhe te Putini.

Program "laraman"

Në qendër të kongresit të ardhshëm të partisë në Shtutgart ndodhet tani programi i parë i përgjithshëm i Partisë. Projekti i programit përmban 74 faqe. Nga pikëpamja tematike nuk përjashtohet thuajse asnjë fushë: Evropa ("Eksperimentit Euro t'i jepet një fund me rregull"!), politika e brendshme ("Dëbim i të huajve që kryejnë krime, futje e shërbimit të detyruar ushtarak"), politika e jashtme ("raporti me Rusinë me rëndësi të konsiderueshme!"), tregu i punës ("të shpërbëhet Agjencia Federale e Punës"), politika sociale ("të meritohet sigurimi bazë"), kultura ("kultura gjermane si orientim!"), arsimi ("jo të drejta të posaçme për studentët myslimanë, jo kuotë për gratë!"), migrimi ("kërkesat për azil të paraqiten jashtë zonës së Shengenit!"), bujqësi ("Më shumë vëmendje për fshatarët!") dhe ambjent ("të mbështesim jetën në fshat").

Frauke Petry: AfD - parti e paqes sociale

Frauke Petry: AfD - "parti e paqes sociale"

Programi u hartua në disa grupe pune dhe me pjesëmarrjen e 1000 anëtarëve. Kryetare e komisionit të Programit është Alice Weidel, një figurë e re reklamë për partinë.

Diskutime vendimtare

Kryetarja e Partisë, Frauke Petry e përcaktoi AfD në mars si "parti të paqes sociale". Zëvendëskryetari federal, Alexander Gauland foli për një "parti të njerëzve të vegjël". Në preambulën e programit shkruhet: "Ne jemi liberalë dhe konservatorë". Me këtë partia synon t'u drejtohet sa më shumë njerëzve. Ndaj mungesa e qartësisë në profil nuk e dëmton. Por puna mund të ndryshojë kur partia të ketë një program të fiksuar.

2000 delegatët e regjistruar të partisë në Shtutgart do të kenë para vetes një bllok të madh amendamentesh, me më shumë se 1400 faqe. Ndoshta një kongres partie nuk do të mjaftojë për t'i diskutuar të gjitha.

Vëmendjen mediale në Gjermani ka ditë që e tërheq fjalia e programit të AfD: "Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë." Debati për këtë ka nisur tashmë. Madje edhe Presidenti i Gjermanisë ndërhyri në të. Në lirinë e fesë nuk ka asnjë gjë të gabuar, tha Joachim Gauck. Shprehimisht ai përsëriti fjalinë e paraardhësit të tij në post, Christian Wulff të vitit 2010: "Feja islame është pjesë e Gjermanisë."