1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Çfarë e shtyu Breivikun?

A kanë influencuar forcat e djathta ekstreme vrasësin e shumëfishtë Breivik? Çështjen e trajton tani procesi për sulmet e verës 2011. Por radikalët e djathtë nuk luajnë ndonjë rol në Norvegji.

Anders Behring Breivik

Anders Behring Breivik

Trajnim për aplikime për vend pune për emigrantët. Në një dhomë të ndriçuar me kompjuter në qendrën shtetërore antiraciste (AS) janë ulur disa të rinj, që plotësojnë me zell CV-të e tyre. Drejtuesja e kursit Somia Salaouatchi, 24 vjeç, me fytyrën të rrethuar nga një shami ngjyrë vjollcë shkon nga njëri tek tjetri dhe jep këshilla. Algjeriania nuk mendon se emigrantët në Norvegji janë të diskriminuar. Por megjithatë ka diskriminim strukturor, thotë Somia Salaouatchi: "Sapo ka dalë një raport, që thotë, se mundësitë për aplikimet për punë janë më të vogla, nëse ke një emër, që dëgjohet si i huaj. Problemi më i madh është me sa duket se emigrantët nuk kanë të njëjtat rrjete lidhjeje si norvegjezët etnikë."

Përkujtohet masakra në Utoya

Përkujtohet masakra në Utoya

Numër i ulët i veprave me sfond të djathë ekstremist në Norvegji

Menjëherë pas masakrës së 22 korrikut të vitit 2011 në Oslo dhe Utoya u kritikuan emigrantët. Spekulimet, se islamistët i kishin kryer sulmet, u bënë me shpejtësi pjesë e informimit nga mediat. Më pak u diskutua çështja, nëse prapa veprës së çmendur ndodheshin norvegjezët e djathtë ekstremistë. Kjo nuk është rastësi, thotë Shoaib Sulltan. Ai hulumton në qendrën antiraciste skenën ekstremiste të djathtë në Norvegji. Nuk luan ndonjë rol të madh, thotë Sulltan. "Në Norvegji ne shpesh flasim për tri grupe të ndryshme të së djathtës ekstreme. Janë neonazistët, që janë të paktë dhe të organizuar keq, pastaj është grupi i dytë më i madh i racistëve, që mendojnë se njerëzit me ngjyrë tjetër lëkure nuk e kanë vendin këtu. Për grupin e tretë islamofobia është një ventil. Ata e përdorin atë si mbulesë për racizmin e tyre."

Shoaib Sultan

Shoaib Sultan

Ekstremizmi i djathtë në përgjithësi nuk ka pozitë të fortë në Norvegji për momentin, këtë e konstaton edhe raporti vjetor i shërbimit sekret të Norvegjisë për vitin 2012. Në dekadat e fundit ka patur sulme kundër qendrave të pritjes të azilkërkuesve. Polemika lidhur me karikaturat e Mohametit ka bërë që të rritet skepticizmi ndaj fesë islame. Edhe vetë fakti që me partinë e Lirisë (FRP) ka hyrë në parlament një parti e djathtë populiste, ka bërë që rrymat e djathta radikale në vend të mos forcohen, thotë Raknes Ketil, i cili sapo ka shkruar një libër për partitë populiste të djathta: "Norvegjia i ka trajtuar mirë populistët e djathtë. Nuk e ka përjashtuar RFP. Në të njëjtën kohë ajo është kritikuar hapur. Kjo ka lënë gjurmë. Në kongresin e fundit të Partisë ka patur anëtarë të partisë, që kanë bërë thirrje, që partia nuk duhet të kritikojë Islamin, sepse në këtë mënyrë tremb zgjedhësit me sfond migracioni."

Ujk i vetmuar, apo pjesë e tufës?

Vrasësi i shumëfishtë Anders Breivik Behring u largua nga Partia e Progresit, sepse tezat e saj nuk i dukeshin mjaft radikale. Ai përshkruhet si një ujk i vetmuar, i cili e gjeti në internet tufën e tij. Para gjykatës tani shpjegohet, se sa të forta janë janë me të vërtetë lëvizjet e djathta në Norvegji, të cilat mund ta kenë frymëzuar atë. Një temë, që diskutohet edhe në Qendrën Antiraciste në Oslo në mesin e pjesëmarrësve të kursit të aplikimit për vende pune. Nga sulmet ka patur një diskutim të ri lidhur me temën e emigracionit, thotë Somia Salaouatchi. "I ka habitur të gjithë që Behring nuk ishte i ardhur. Kjo e ka rindezur debatin," thotë drejtuesja e kursit. "Kështu argumentet e palëve të ndryshme janë bërë më të qarta. Kështu del më mirë në pah, ajo që njerëzit mendojnë vërtetë."

Autor: Agnes Bührig/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi