1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çfarë do të thotë neonazizëm në Ballkan - Format dhe trendet e tij

Edhe pse përballen me veprime të ideologjive ekstremiste, vendet e Ballkanit Perëndimor, njëzet vjet pas luftës nuk kanë një përgjigje adekuate ndaj ekstremizmit të djathtë në rritje, vlerësojnë analistët.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Ekstremizmi i djathtë në vendet e Ballkanit Perëndimor manifestohet më shumë në baza kombëtare dhe fetare se sa përmes intolerancës racore dhe politike. Në Serbi, Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë operojnë grupe të ndryshme, ideologjia e të cilave bazohet në mohimin e të tjerëve dhe të ndryshmes. Sipas analistëve ata shpesh kanë një pikëmbështetje në institucionet qeveritare. Një shembull për lidhjet e zyrtarëve politikë dhe ekstremizmit të djathtë në Bosnje-Hercegovinë sjell profesori në Fakultetin Filozofik të Sarajevës, Dr. Salih Foço. "Forcat politike ushqejnë konfliktin në Bosnje-Hercegovinë të fshehur pas Marrëveshjes së Dejtonit dhe përdorin grupet e ekstremizmit të krahut të djathtë për të parandaluar kthimin e refugjatëve, dhe kështu riintegrimin e Bosnje-Hercegovinës në kuadrin e statusit të para luftës", thotë dr. Foço.

Përkrahës të partisë radikale serbe në Beograd

Përkrahës të partisë radikale serbe në Beograd

Ekstremizmi i krahut të djathtë është importuar nga vendet e rajonit

Profesori Salih Foço beson se ekstremizmi i djathtë është importuar në Bosnjë dhe Hercegovinë nga vendet e rajonit (lëvizjet çetnike dhe ustashe) dhe vendet arabe (vehabistët). "Lufta dhe kriza ekonomike kanë krijuar kushte të volitshme për manipulime në këto hapësira dhe grupet ekstremiste që veprojnë këtu duan të destabilizojnë Evropën dhe të parandalojnë normalizimin e gjendjes në viset e ish-Jugosllavisë," thotë Dr. Foço.

Për socilogun nga Beogradi, Dr. Dushan Janjiq ekzistojnë dy drejtime të djathtës ekstreme, e cila vepron në Serbi dhe në vendet e tjera ballkanike. "Njëri ishte në funksion të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe krijimit të shteteve të reja (Partia Radikale Serbe dhe Partia Kroate e Drejtësisë) dhe tjetri është i lidhur me ngjarjet në Evropë dhe krizën e demokracisë liberale dhe ekonomisë globale," thotë Janjiq.

"Këto janë grupe neonaziste të tilla si 'Marshi Kombëtar', 'Lëvizja Popullore Serbe - Tanët' dhe pjesë të 'Lëvizjes Kombëtare Serbe 1389'. Organizata të tilla zakonisht grumbullohen rreth krahëve ekstrem të grupeve të tifozëve dhe ato i gjen pothuajse në çdo qytet serb. Ata manipulohen edhe nga shteti në mënyrë që ata për shtetin të bëjnë punët e ndyra që lidhen me drogën apo krimin e organizuar", thekson Janjiq.

Vahabistë duke protestuar në Sarajevë

Vahabistë duke protestuar në Sarajevë

Ekstremizmi vështirëson normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore

"Ekstremizmi i krahut të djathtë është i pranishëm edhe në Kroaci, këtë duhet ta kenë parasysh forcat liberale demokratike", thotë për Deutsche Wellen profesori në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, Dr. Ivo Goldstein. Ai vlerëson se ekstremizmi i djathtë në Kroaci por edhe në vendet tjera të rajonit sot nuk është aq shumë i lidhur me Luftën e Dytë Botërore dhe ish-lëvizjen socialiste kombëtare. "Ky ekstremizëm, mospërfillja dhe madje urrejtja ndaj të tjerëve, feve të tjera dhe vendeve të tjera, shkatërron strukturën sociale brenda një vendi të caktuar dhe njëkohësisht vështirëson normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët. Kështu ne duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se një ekstremizëm ushqen tjetrin, çka është tipike për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për Bosnje-Hercegovinën", thekson Dr. Goldstein.

Analistët besojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të përballen më vonë me format më radikale të ekstremizmit të djathtë, përkatësisht neonazizmit, sepse ende në sipërfaqe nuk ka dalë kriza socialo-ekonomike. Dushan Janjiqi beson se në mbarë rajonin mund të ndodhë që të ketë rritje të fenomenit neonazizëm: "Ballkani gjatë 3-4 viteve të ardhshme do t'i bashkohet trendit evropian sa i përket forcimit të ekstremizmit të djathtë."

Autor: Samir Huseinoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi