1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çfarë do të sjellë raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë?

Maqedonia shpreson se do ta kapërcejë fazën e vendit kandidat dhe në tetor do të marrë rekomandim nga Komisioni Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE. Edhe pas kësaj, procedura zgjat disa vite.

A do t'i afrohet Maqedonia edhe një hap BE? Ne foto: flamuri i Maqedonise dhe i BE para kryeministrisë në Shkup

A do t'i afrohet Maqedonia edhe një hap BE?

Raporti i KE-së pritet të përmbajë vlerësime kritike për politikën dhe ekonominë në Maqedoni

Me një dozë skepticizmi, por edhe me mesazhe inkurajuese, e pret Maqedonia publikimin e raportit të Komisionit Evropian për rezultatet e vendit drejt anëtarsimit në BE. Sipas paralajmërimeve të para, edhe përkundër optimizmit të shprehur nga qeveria, e cila është e mendimit se një pjesë të madhe të detyrimeve ndaj Brukselit i ka plotësuar me korrektësi, raporti i KE-së pritet të përmbajë sërish vlerësime kritike për sferën politike dhe ekonomike në Maqedoni. Nëse rekomandimi i KE-së është pozitiv, për Maqedoninë do të fillojë një proces i gjatë i monitorimit, i cili mund të zgjasë disa vite, thotë politologia Marija Ristevska.

“ Kjo do të thotë se data për fillimin e bisedimeve do të merret vetëm pas monitorimit, të cilin e përcakton KE, por paraprakisht duhet të konfirmohet gjendja në terren. Kjo nënkupton konstatimin se deri ku jemi afruar me legjislaturën evropiane, cilat janë sferat problematike në të cilat shtetit duhet t'i jepet përkrahje,” thotë Ristevska.

Latifi: 'Kërkesat janë plotësuar në mënyrë formale dhe kozmetike'

Kryetari i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, profesori universitar Veton Latifi, thotë se Komisioni Evropian do të përpilojë një raport pjesërisht pozitiv, meqë shumë detyrime të ardhura nga Brukseli, në Shkup nuk janë përfunduar ashtu siç duhet:

“ Të gjitha ato kërkesa që janë plotësuar, kryesisht janë plotësuar jo vetëm në mënyrë të shpejtë dhe të ngarkuar në aspektin kohor, por poashtu edhe në mënyrë tejet formale dhe në mënyrë deklarative-kozmetike, se sa në një formë më sistematike. Ka shumë sfera, në të cilat akoma mbetet për të bërë dhe të cilat pritet të jenë pikë kritike nga Brukseli, siç është administrata e politizuar, gjyqësia jofunksionale dhe ngecja deri diku në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit,” vlerëson Latifi.

Përveç ngecjes në reforma, në raport do të vlerësohen edhe marrëdhëniet fqinjësore dhe në këtë drejtim Maqedonia nuk mund të lavdërohet, thotë Latifi.

“Një kritikë serioze që pritet të marrë Maqedonia nga Brukseli kësaj radhe padyshim është sjellja e saj përballë fqinjve, respektivisht mosshfaqja e performansave të mjaftueshme për një bashkëpunim ndërfqinjësor sidomos me çështjen e Kosovës, sepse ka disa muaj që Maqedonia e zvarrit çështjen e vendosjes së mardhënieve diplomatike me Kosovën,” thotë Veton Latifi.

Fuere: Përparimi në Maqedoni gjatë periudhës së kaluar është inkurajues

Ambasadori i BE-s në Shkup, Ervan Fuere ka deklaruar se përparimi në Maqedoni gjatë periudhës së kaluar është inkurajues, por sipas tij, është herët për të spekuluar rreth konkluzioneve që do të dalin nga raporti i KE-s për Maqedoninë.

Fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE është tejet i rëndësishëm, meqë pas këtij akti hapen fondet e reja të ndihmave të BE-së për përforcimin e kapaciteteve të shteti,t për t'i përmbushur standardet dhe vlerat që kërkohen nga Bashkimi Evropian.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 17.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JilN
  • Data 17.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JilN