1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Çfarë do të sjellë për Evropën viti 2016?

Evropa po lë pas një vit emocionues. Dhe një vit jo më pak emocionues e pret kontinentin.

Më shumë se një milion të ardhur vetëm në Gjermani në vitin 2015. Luftëra në Siri, në Irak dhe në kontinentin afrikan që ende janë larg përfundimit dhe i detyrojnë njerëzit të largohen. Politika ndaj refugjatëve do të mbetet çështja kryesore në vitin e ri në Evropë - dhe sfida e saj më e madhe. Si mund të shpërndahen të ardhurit në shtetet anëtare të BE? Si mund të integrohen ata? Dhe si mund të funksionojë e gjithë kjo në kuadrin e problemeve të brendshme në BE, ku janë në rritje gjithnjë e më shumë partitë populiste të djathta, si në Francë, Poloni dhe Hungari? Shumë pyetje për BE-në. Holandezët dhe sllovakët, të cilët do të kenë presidencën e BE-së, do të përpiqen të gjejnë përgjigje.

Edhe gjendja ekonomike në Greqi mbetet një çështje për vitin 2016. Paketa e tretë e ndihmës që vendet e euros miratuan në vitin 2015 - lidhet me kushte të caktuara. Qeveria e kryeministrit Aleksis Tsipras ka zbatuar tashmë ose ka iniciuar shumë reforma, kreditorët kanë një optimizëm të përmbajtur për 2016-tën.

Zgjedhjet në Rusi dhe samiti i NATO-s

Në shtator vëmendja do të drejtohet për nga Evropa Lindore për zgjedhjet parlamentare në Rusi. Një sërë grupesh opozitare duan të bashkohen kundër Putinit dhe të hyjnë në parlament, ndër to dhe Partia Progresive e blogerit Aleksei Navalny. Edhe në Ukrainë do të zhvillohen zgjedhje që do të monitorohen me kujdes, për shkak të krizës në Krimenë e aneksuar dhe veçanërisht në Donbas në lindje të vendit.

Tema e Ukrainës do të preokupojë dhe NATO-n. Nga 8 në 9 korrik zhvillohet në kryeqytetin polak Varshavë samiti i NATO-s. Në të do të bëhen kryesisht përpjekje për të bashkuar interesat e ndryshme brenda aleancës. Partnerët e Evropës Lindore të NATO-s, si Polonia, duan një politikë më të rreptë frikësimi dhe mbrojtjeje ndaj Rusisë. SHBA është e interesuar për të ruajtur unitetin e aleancës. Shtetet jugore si Turqia duan të parandalojnë që fokusi i aleancës të jetë shumë në lindje. Kjo është e kuptueshme, duke marrë parasysh pozitën gjeopolitike të Turqisë si fqinjë e Sirisë dhe e Irakut.

Polonia në fokus

Kalojmë te temat kulturore dhe shkencore që priten në Evropë gjatë vitit 2016. Dy evenimente të mëdha zhvillohen po ashtu në Poloni. Kryeqyteti Europian i Kulturës është Vroclavi, ish-Breslau gjerman.

Qyteti në lumin Oder pret me një mori risish, si p.sh. Qendrën Kombëtare të Muzikës. Sidomos të rinjtë katolikë mund ta lidhin vizitën në Vroclav në javën e fundit të korrikut me një tjetër ngjarje të madhe që zhvillohet në Evropë në vitin 2016. Në Krakov zhvillohet Dita e 31-të Botërore e Rinisë. Tema është "mëshira" - cila i përshtatet Vitit të Shenjtë të shpallur nga Papa Françesku. Shumë polakë gëzohen për vizitën e Atit të Shenjtë në vendin e paraardhësit së tij Papa Gjon Pali II.

Festivali i Eurovisionit në Suedi dhe gara në Mars

Eurovision Song Contest zhvillohet në vitin 2016 pas fitores së këngëtarit Måns Zelderlof me këngën "Heroes". Aty do të marrin pjesë 43 shtete, dhe sipas organizatorëve ky është festivali më i madh në historinë e festivale të Eurovisionit. Pas një viti pushim (për shkak të krizës politike) Ukraina rikthehet në skenë. Dhe australianët që morën pjesë në vitin 2015 si të ftuar në finale si një përjashtim me rastin e 60-vjetorin të këtij festivali - do të marrin pjesë përsëri. Por këtë herë vetëm në gjysmëfinale. Finalja zhvillohet më 14 maj.

Bota shkencore do të shohë më 14 mars mjaft e interesuar drejt qiellit, sepse atë ditë me nisjen e një sonde fillon misioni i shumëpritur ruso-evropian i Marsit "Exo-Mars".

Kampionati Evropian i Futbollit nën masa sigurie

Last, but not least, tifozët e futbollit mund të gëzohen për Kampionatin Evropian 2016, që fillon në Francë më 10 qershor. Një kampionat futbolliti i superlativave. Por pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit 2015, gjithçka do të dominohet nga masat e sigurisë. Finalja zhvillohet në Stade de France dë St. Denis, pra tek vendi që terroristët kishin ndër të tjera në shënjestër në nëntor të vitit 2015. Si favoritë kryesorë për titullin konsiderohen Gjermania dhe Franca. Viti i ri pra mirë se të na vijë!