1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çfarë dinte Obama për përgjimin e Merkelit?

Pas skandalit të përgjimit të kancelares Merkel vëmendja është përqëndruar tek presidenti amerikan Obama dhe NSA. Shërbimi sekret deklaron se Obama nuk ka qenë i informuar. Por disa pyetje mbeten ende pa përgjigje.

Shtëpia e Bardhë hesht, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Sigurisë, NSA, mbrohet: Ndryshe nga raportimet e gazetës gjermane "Bild", kreu i NSA-së, Keith Alexander, nuk e ka informuar presidentin amerikan Barack Obama për aksionet e përgjimit kundër Merkelit. Alexander nuk ka folur as me Obamën, "as nuk ka diskutuar operacione përgjimi, që prekin kancelaren Merkel", thuhet në një deklaratë përmes postës elektronike të zëdhënëses së NSA-së, Vanee Vines, ditën e dielë. "Raportime, që flasin për të kundërtën, nuk janë të vërteta".

Sipas informacioneve të "NewYork Times" përgjimet kundër Merkelit kanë filluar që para dhjetë vitesh, jo shumë kohë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Asokohe Merkel ishte zgjedhur si kryetare e partisë kristiandemokrate, CDU. "Ajo, që po del në dritë, nuk më habit aspak", thotë për Deutsche Welle-n, Thomas Drake, i cili ka punuar për NSA-në për 18 vjet. Kohë më parë se Edward Snowden, Drake, po ashtu i zhgënjyer nga aksionet e përgjimit të NSA-së, u bë njëri nga zbuluesit e skandaleve të saj.

Ish spiun: Thomas Drake në një protestë kundë NSA

Ish spiun: Thomas Drake në një protestë kundë NSA

Persona non grata

Në vitin 2010 Drake bëri publike disa informacione mbi programin e spiunazhit "Trailblazer" duke u bërë kështu edhe armiku nr 1. i Shteteve të Bashkaura." Shpresoja dhe prisja për skandalin tjetër, pas asaj që dija nga brenda këtij aparati", thotë Drake. "Pas sulmeve të 11 shtatorit ndodhi kjo: Për shkak se shumë atentatorë kishin qëndruar në Gjermani, jetonin aty, apo kishin udhëtuar nëpër këtë vend, NSA dhe qeveria amerikane e deklaroi Gjermaninë si objektivin numër 1 në Europë."

Por ajo, që ka dalë tani në dritë, është e papërfytyrueshme. "Kjo është një shkelje e pabesueshme e rregullave të diplomacisë ndërkombëtare", thotë ish-oficeri i NAS-së. "Kjo prek kancelaren Merkel personalisht. Është celulari i saj personal. Pse është kjo e nevojshme?"

Një dokument i NSA, që duhet të dëshmojë fillimin e aksionit të përgjimit të Angela Merkelit

A është kjo dëshmia? Një dokument i NSA, që duhet të dëshmojë fillimin e aksionit të përgjimit të Angela Merkelit

Ish-oficerit, që mbikqyrte për llogari të Shteteve të Bashkuara nga avionët e spiunazhit Republikën e atëhershme Demokratike Gjermane,, këto metoda i kujtojnë Stasin, apo Gjermaninë naziste. "Për këtë arsye është tejet personale, po qe se përgjohet celulari i saj", thotë Drake.

Edhe gazetari i "Washington Post" dhe zbuluesi i skandalit Watergate, Bob Woodward, i kritikon metodat e shërbimit sekret amerikan. "Ata duhet ta rishqyrtojnë të gjithë këtë botë sekrete", tha ai në televizionin CBS. Amerika po vjen në një pikë, ku "një qeveri sekrete" po kthehet në problem. "Ne kemi një qeveri shumë të fuqishme, që ka vënë në punë autopilotin."

Ka pasur dijeni Obama?

Së bashku me kolegun e tij Carl Bernstein, Woodward bëri publik skandalin e përgjimit të selisë së demokratëve nga shtabi zgjedhor i presidentit Richard Nixon, i cili u detyrua më pas të japë dorëheqjen si i pari president amerikan në vitin 1974. Kritikët e shërbimeve sekrete amerikane si regjisori i Hollivudit, Oliver Stone, e krahasojnë skandalin aktual me përmasat e aferës së Watergate.

Një demonstruese në Uashington

Një demonstruese në Uashington

Shtëpia e Bardhë nuk i ka shtuar asgjë të re prononcimit të saj të parë mbi skandalin e përgjimit të celularit të Merkelit. "Shtetet e Bashkuara nuk e përgjojnë celularin e kancelares Merkel dhe nuk do ta bëjnë këtë as në të ardhmen", u shpreh zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, javën e shkuar pas telefonatës së presidentit Obama me Merkelin. Nga qarqe të brendshme vijnë zëra që e cilësojnë këtë si gënjeshtër. Pete Heekstra, ish-kreu i komitetit të shërbimeve sekrete në kongresin amerikan, është shprehur se ai nuk kishte për t'u çuditur, në rast se Obama ka qenë i informuar.

"Presidenti i përcakton rregullat,, mbi bazën e të cilave punojnë shërbimet sekrete. NSA dhe organizata të tjera amerikane nuk mund dhe nuk lejohen të punojnë jashtë limiteve të vëna nga presidenti", shprehet politikani i partisë republikane.

DW.COM