1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Çfarë është një President i Komisionit të BE-së?

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso u zgjodh sot nga Parlamenti Evropian për një periudhë të dytë në post. 53-vjeçari mori 382 nga 718 vota të dhëna.

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso i drejtohet Parlamentit Evropian, 15.09.2009

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso i drejtohet Parlamentit Evropian, 15.09.2009

Çfarë është në fakt një President i Komisionit të BE-së?

Drejtues i mbi 20 mijë punonjësve

Ai drejton një aparat me mbi 20 mijë punonjës, që i ngjan një aparati qeveritar me departamentet e caktuara. Por, Komisioni i BE-së është një institucion unik në botë, kështu edhe shefi i tij.

Komisioni ushtron aktivitetin e tij në bazë të Marrëveshjes së Amsterdamit nën "drejtimin politik të presidentit të tij". Pra Presidenti është kryetari i Komisionit. Ndër detyrat e tij bëjnë pjesë organizimi i mbledhjeve të Komisionit dhe përfaqësimi jashtë i Komisionit. Presidenti i Komisionit merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Evropian dhe në debatet më të rëndësishme të Parlamentit Evropian.

Komisioni Evropian - 'qeveria' e Evropës. Ne foto: flamuri i BE pasqyrohet ne godinen e Komisionit Evropian në Bruksel

Komisioni Evropian - 'qeveria' e Evropës

Presidenti emëron 27 komisarët e Komisionit

Përveç kësaj, ai emëron në marrëveshje me Kryetarët e qeverive të vendeve anëtare, 27 komisarët e Komisionit. Sipas Marrëveshjes së Nicës, Presidenti mund t`u ndryshojë kompetencat e tyre ose të kërkojë dorëheqjen gjatë kohës që ata qëndrojnë në detyrë. Po ashtu si Parlamenti Evropian, edhe Presidenti i Komisionit qëndron pesë vjet në post. Marrëveshja e Maastrihtit bashkoi periudhat e mbajtjes së posteve të Presidentit dhe Parlamentit.

Presidenti emërohet nga Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së

Presidenti emërohet nga Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së. Megjithatë atij i duhet aprovimi i Parlamentit, i cili mund të mos e pranojë një President. Prandaj para zgjedhjes së Presidentit zhvillohen një sërë bisedimesh jozyrtare dhe zyrtare midis vendeve të BE-së, Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Evropian si dhe blloqeve më të mëdha politike të Parlamentit. Kandidati që del në fund përkrahet prej të gjithëve. Duke patur mbështetjen e dy institucioneve të BE-së, ai forcon autoritetin e tij politik.

Këshilli ndjek gjatë përzgjedhjes së kandidatëve rezultatin e zgjedhjeve evropiane

Marrëveshja e Lizbonës, e cila pritet të ratifikohet nga vendet anëtare të BE-së, parashikon që Këshilli të ndjekë gjatë përzgjedhjes së kandidatëve rezultatin e zgjedhjeve evropiane. Kjo do të thotë se duhet përfaqësuar fraksioni më i fortë i Parlamentit. Kështu të drejtat e Parlamentit forcohen më shumë. Duke patur parasysh pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, janë shtuar zërat që kërkojnë që Presidenti i Komisionit të zgjidhet direkt nga qytetarët, në mënyrë që ata të mobilizohen më shumë.

Presidentët e deritanishëm të Komisionit (të KEP, KE dhe BE):

- Walter Hallstein nga Gjermania (1958-1967)

- Jean Rey nga Belgjika (1967-1970)

- Franco Maria Malfatti nga Italia (1970-1972)

- Sicco Leendert Mansholt nga Hollanda (1972-1973)

- François-Xavier Ortoli nga Franca (1973-1977)

- Roy Jenkins nga Britania e Madhe (1977-1982)

- Gaston Thorn nga Luksemburg (1981-1985)

- Jaques Delors nga Franca (1985-1995)

- Jacques Santer nga Luksemburg (1995-1999)

- Romano Prodi nga Italia (1999-2004)

- José Manuel Barroso nga Portugalia (2004-aktualisht)

- José Manuel Barroso nga Portugalia (2009 - )

Autor: Julia Kukelkorn/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 16.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JhoL
  • Data 16.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JhoL