1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çetnikë serbë në Ukrainën lindore

Shumë medie njoftojnë për çetnikë serbë që shërbejnë si mercenarë në Ukrainë dhe mbështesin luftëtarët prorusë.

Mjekra e shpupurisur, veshja ushtarake lara-lara dhe arma automatike janë pjesë e imazhit të tij: Bratislav Živković është drejtuesi i milicëve çetnikë serbë në Ukrainë lindore. Emrin "çetnikë" e kanë përdorur si luftëtarët guerilë serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe trupat paraushtarake serbe gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.

39-vjeçari Živković ishte në mars në Krime, ku sikurse thotë "mbrojti popullin vëlla rus". Tani ai dhe shokët e tij serbë janë renditur përkrah "milicisë popullore" të së vetëshpallurës "Republika e Re e Rusisë" në Ukrainën lindore dhe i kanë bërë ballë ofensivës së ushtrisë ukrainase në Luhansk.

Pohime kundërthënëse

Shumë medie njoftojnë për rusë, çeçenë dhe kozakë që shërbejnë si mercenarë në Ukrainë dhe mbështesin luftëtarët prorusë. Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti shkruan se ka pasur edhe dy vullnetarë "antifashistë" nga Spanja dhe një nga Republika Çeke. Njësia çetnike në Ukrainë përbëhet nga 46 luftëtarë ndër ta edhe "rusë dhe një bullgar" thotë Zoran Andrejić, zëvendëspresident i lëvizjes çetnike serbe, në bisedë me DW. Ai vetë është në Serbi, por "komandant Živković-i", është në vijën e parë të frontit. Ai thotë se çetnikët as nuk marrin dhe as nuk kanë kërkuar para për angazhimin e tyre.

Kryeministri serb, Aleksandar Vučić, tha në një konferencë shtypi në Beograd krejt të kundërtën: "99 përqind janë mercenarë" dhe se sipas informacioneve të tij në konfliktin në Ukrainë janë të përfshirë jo shumë qytetarë serbë. Vučić shtoi se mercenarë serbë luftojnë si në anën e separatistëve dhe të ushtrisë ukrainase dhe se marrin 2.100 apo 6.500 dollarë në varësi se për cilën palë luftojnë. Kryeministri serb nuk tha se nga i kishte këto të dhëna, por tha se do të ishte mirë që ata të kthehen në Serbi dhe të kujdesen për familjet e tyre dhe jo të luftojnë për interesant e tjerëve.

Motivet e çetnikëve

Çetnikët thonë se ata i bashkojnë lidhjet sllave dhe se edhe dikur në Bosnje, kanë luftuar bashkë me ta shumë vullnetarë rusë dhe kozakë.

Kurse eksperti i sigurisë nga Beogradi Zoran Dragišić mendon se vëllazëria ruso-serbe si motiv për angazhimin e çetnikëve në Ukrainë është e ekzagjeruar. Luftëtarët shkojnë atje shumë më tepër për shkak të parave se sa të idealeve: "Ata janë mercenarë që mund t'i rekrutosh për luftëra në të gjithë botën", thotë Dragišić në bisedë me DW-në. "Në fillim të shekullit ata luftonin në Afrikë. Sot janë në Siri, Irak dhe Ukrainë." Serbia është eksportuese luftëtarësh të tillë, të ashtuquajtur "war dogs".

Serbische Tschetniks in Sarajevo

Në Beograd pritet të miratohet në vjeshtë një ligj sipas së cilit pjesëmarrja në një luftë jashtë vendit do të konsiderohet e dënueshme. Projektligji merr shkas jo vetëm prej luftëtarëve serbë në Ukrainë, sepse ka edhe raste të qytetarëve myslimanë të Serbisë të cilët janë duke luftuar në Lindjen e Mesme në anën e xhihadistëve. Deri sa ligji i ri të hyjë në fuqi, mercenarët serbë nga e gjithë bota mund të kthehen në shtëpitë e tyre pa frikën e ndëshkimit. Edhe çetniku Bratislav Živković planifikon të kthehet në Serbi. Kohët e fundit ai shkroi në një letër të hapur që dëshiron një debat televiziv me kryeministrin serb, ku do të shpjegojë se lufta e tij kundër "njësive naziste në Ukrainën lindore" ishte e drejtë.