1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Çeki: Shitje pasaportash

Me sa duket trafikantët e qenieve njerëzore blejnë sistematikisht pasaporta prej çekëve që jetojnë në kushte të vështira sociale dhe me to sjellin pa problem refugjatë nga Siria, Iraku, dhe vende të tjera në Evropë.

Marifeti që po përdorin aktualisht trafikantët e qenieve njerëzore dhe që preokupon policinë çeke është relativisht i ri. Ende nuk e dimë shumë për sfondin e tij thotë Hubert Lang, që kryeson sektorin e dokumenteve të identitetit. Sipas tij skema mund të jetë e tillë: "Grupe të caktuara çekësh që jetojnë në kushte të vështira sociale, ua shesin pasaportat e tyre trafikantëve dhe pastaj njoftojnë në polici se u kanë humbur apo ua kanë vjedhur. Ka dhe raste që dokumentet u përkasin personave që kanë vdekur dhe që nuk u janë dorëzuar autoriteteve.

Policia nuk kontrollon me imtësi çdokënd

Kategoria më e rrezikshme janë dokumentet që as kanë humbur as janë njoftuar si të vjedhura. Sepse numrat e këtyre pasaportave nuk shfaqen në asnjë prej sistemeve të informacionit të Shengenit. Kështu, kontrolli i kufirit të vendeve të Shengenit është jashtëzakonisht i vështirë."

Këto dokumente shiten mjaft shtrenjtë në vendet e krizës në vendet arabe, thotë Hubert Lang, sepse me to refugjatët mund të hipin në avion dhe të vijnë në Evropë ku bëjnë kërkesë për azil. Sipas tij trafikantët ndryshojnë vetëm faqen e parë me fotografinë dhe të dhënat personale. Nga ana tjetër policia nuk kontrollon me imtësi çdokënd që mund të ketë pamje arabe.

Më shumë se 100 raste shpërdorimi

Policia çeke ka identifikuar deri tani më shumë se 100 raste shpërdorimi të dokumente që janë regjistruar gjoja si të vjedhura dhe janë përdorur për të hyrë ilegalisht në BE. Shifra e vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë. Për të vënë këtë problem nën kontroll, autoritetet çeke po përpiqen të hetojnë cilët qytetarë shesin dokumentet e tyre. Sipas hetimeve shumica e tyre, thotë Hubert, janë nga zona me probleme sociale, kryesisht nga Bohemia e Veriut. Megjithatë hetuesit ende nuk e dinë se sa paguajnë bandat kriminale për dokumentet e identifikimit dhe se si i dërgojnë këto më pas në rajonet e krizës.

"Gjëja më e vështirë është t'i provosh dikujt se ka shitur pasaportën. Por kur dikush i humb dokumentet e tij tri-katër herë brenda dy vjetëve, atëherë kjo nuk është normale dhe ne fillojmë hetimet." - thotë Hubert Lang. Megjithatë është pothuajse e pamundur që të vërtetosh se dikush e ka bërë një gjë të tillë me qëllim apo t'i provojësh se ka bërë një vepër penale. Policia po shpreson tani për një legjislacion të ri.