1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

"Çdo njeri ka të drejtë për një shans të dytë" - Intervistë me Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik Gjerman

Në fillim të javës pesë trainerë të Shoqatës Gjermane të Atletikës së Lehtë pranuan se gjatë punës si trainerë në ish-RDGJ u kanë dhënë sportistëve doping.

Shumë trainerë në ish-RDGJ u kanë dhënë sportistëve doping, por pak e pranojnë këtë.

Shumë trainerë në ish-RDGJ u kanë dhënë sportistëve doping, por pak e pranojnë këtë.

Duke pranuar se u kanë dhënë doping sportistëve pesë trainerë të Shoqatës Gjermane të Atletikës së Lehtë thanë se parë nga perspektiva e sotme ky ka qenë një gabim, shprehën keqardhje e kërkuan falje, nëse përdorimi i dopingut nga sportistët ka pasur tek ata pasoja për shëndetin.

Politikanë të Komisionit për Sportin dhe Komitetit Olimpik Gjerman e përshëndetën deklaratën publike si një hap të rëndësishëm dhe të dobishëm. Komiteti deklaroi se nuk ka më dyshime për punësimin e mëtejshëm të trainerëve. Atyre u duhet dhënë një shans i ri. Por pikërisht kjo deklaratë u shkak për indinjatë nga një numër viktimash të dopingut, të cilët i cilësuan pranimin e fajit dhe kërkesën e faljes nga trainerët jo të ndershme dhe jo të përshtatshme. Duke folur për radion "Deutschland Funk" Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik Gjerman, kërkoi nga viktimat e dopingut të tregonin mirëkuptim për pozicionin e trainerëve.

"Unë e kuptoj shumë mirë pse viktimat e dopingut ndihen veçanërisht të prekur. Kur sheh se me çfarë pasojash shëndetësore fizike dhe psiqike duhet të përballen viktimat e dopingut, mund të tregosh vetëm mirëkuptim. Por nga ana tjetër unë kërkoj prej tyre pikërisht këtë, mirëkuptim, jo të harrojnë por të përpiqen të kuptojnë pozicionin e trainerëve të cilët pranojnë tani, megjithëse me vonesë, përfshirjen e tyre në të kaluarën e dopingut."

Por një pjese të opinionit i krijohet përshtypja se trainerët shqetësohen më shumë për ekzistencën e tyre profesionale se sa për të kërkuar ndershmërisht falje. Ashtu si dhe në të kaluarën kur, siç kanë pranuar tani vetë, u interesonte para së gjithash të evitonin "disavantazhe të forta profesionale". A beson presidenti Bach se ky kërkim falje vjen nga zemra?

"Komisioni i pavarur i ngritur prej nesh ka bërë kontrollet e tij. Duhet të dini gjithashtu se kjo iniciativë vjen nga vetë trainerët. Pra nuk kishte asnjë lloj trysnie mbi ta për të reaguar në këtë mënyrë, as publike e as në marrëdhëniet e tyre të punës."

Pas pranimit publikisht të fajit nga trainerët dhe kërkimit falje prej tyre Komiteti Olimpik Gjerman deklaroi se nuk ka asnjë pengesë për vazhdimin e punësimit të trainerëve. Kjo të bën të mendosh se ndoshta synimi i deklaratës së tyre ishte sigurimi i ekzistencës profesionale. Por presidenti i Komitetit Olimpik Gjerman nuk është i këtij mendimi:

"Tek ne nuk kishte në atë moment asnjë kërkesë për zgjatje të marrëdhënies së punësimit", thotë Thomas Bach.

Disa nga viktimat kritikojnë edhe mungesën e kontaktit personal me ta. Vërtet Komiteti Olimpik Gjerman ka zhvilluar mjaft biseda me ish-sportistët që kanë marrë doping dhe u ka dhënë atyre zhdëmtime financiare. Por për viktimat nuk është edhe aq e rëndësishme ana financiare se sa njohja prej të tjerëve e fatit të tyre.

Një tjetër pyetje që iu drejtua Komitetit Olimpik Gjerman ishte përse trainerë të tillë, që me qëllim kanë dëmtuar shëndetin e sportistëve të tyre, lejohen të punojnë edhe më tej me sportistë. A mos vallë sporti gjerman nuk bën dot pa ta?

"Këtu nuk është fjala nëse bëjmë apo jo dot pa ta, nuk është fjala të peshojmë se çfarë rëndon më shumë. Këtu është fjala për një vlerësim njerëzor dhe në këtë pikë Federata është e një mendimi se çdo njeri në këto premisa dhe pas një kohe kaq të gjatë, ka të drejtë t'i jepet një shans i dytë", thotë presidenti i Komitetit Olimpik Gjerman, Thomas Bach.

  • Data 10.04.2009
  • Autor Jochen Spengler / Eliana Xhani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HUUp
  • Data 10.04.2009
  • Autor Jochen Spengler / Eliana Xhani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HUUp