1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çdo lloj opozite në sistemin politik të Iranit është e detyruar të lëvizë brenda kufijsh të ngushtë

Në bazë të rezultateve zyrtare kandidatët opozitarë, si p.sh. ish-kyeministri Mir Hossein Musavi dhe kleriku liberal Mehdi Karubi i humbën qartë zgjedhjet presidenciale kundër pushtetmbajtësit Mahmud Ahmadinexhad.

Demonstratë e opozitës iraniane

Demonstratë e opozitës iraniane

Zgjedhjet në Iran mund të quhen demokratike vetëm me kufizime. Që përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, zgjedhja paraprake e kandidatëve nga Këshilli i pushtetshëm i Mbikqyrësve garanton që opozita të kufizohet në një spektër relativisht të moderuar. Por tani, të konfirmuar e shohin veten ata iranianë, të cilët janë skeptikë për zgjedhjet, si vëzhguesi politik, Abas Abdi:

"Nuk kam pritur kurrë që Musavi ose Karubi t'i fitonin zgjedhjet. Kam qenë gjithmonë i mendimit se askush tjetër veç Ahmadinexhadit nuk do të dilte fitimtar në zgjedhje nga ky sistem. Ne nuk mund të sjellim në kutitë e votimit një ndryshim të kësaj strukture politike."

Edhe kandidati opozitar Musavi nuk është kritik radikal i sistemit

Edhe kandidati i opozitës, Mir Husain Musavi, fushata elektorale e të cilit ka mobilizuar kaq shumë njerëz në Iran nuk është kritik radikal i sistemit. Musavi bën pjesë te establishmenti në pushtet dhe ka qenë kryeministër në vitet 80-të, gjatë luftës midis Iranit dhe Irakut.


Musavi vërtet që ka kritikuar se polemikat e presidentit Mahmud Ahmadinexhad e kanë izoluar në politikën e jashtme Iranin, dhe e akuzoi atë për gabime në politikën ekonomike. Por një braktisje e programit atomik iranian ose një njohje e Izraelit si shtet, për shembull, nuk mund të pritej as nën Musavin.


Në fushatën elektorale Musavi përdori megjithatë tone të forta dhe e akuzoi Ahmadinexhadin se ka gënjyer për gjendjen ekonomike. Eshtë hera e parë në historinë 30-vjeçare të republikës islamike, që një president në post sulmohet në mënyrë të tillë në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv.


Polarizimi brenda elitës në republikën islamike nuk u kufizua te Musavi dhe Ahmadinexhadi. Presidenti sulmoi në fushatën elektorale edhe dy paraardhësit e tij në post, Khatami dhe Rafsanxhani, të cilët mbështetën kandidaturën e Musavit. Ai e kritikoi rëndë Rafsanxhanin. Komentatori politik, Ahmed Zeidabadi:

"Ahmadinexhadi përmendi historitë rreth Rafsanxhanit, për të tërhequr vëmendjen e disa shtresave të popullsisë. Por në fakt ai nuk mund të ndërmarrë asgjë kundër tij. Rafsanxhani do ta ruajë pozicionin e tij. Besoj se pasi të jetë harruar kjo histori, udhëheqësi fetar, Ajatollah Kamenei do ta paralajmërojë Ahmadinexhadin që t'u rrijë larg këtyre çështjeve."

Në kushtet konkrete opozita nuk është në gjendje të ndërmarrë shumë gjëra

Fushata elektorale e Musavit me ngjyrën simbolike të gjelbër zhvilloi padyshim një dinamikë të vetën, e cila e bëri atë figurë simbol, jo vetëm për kundërshtarët e presidentit, por edhe për të gjithë kundërshtarët e regjimit. Tani toni u ashpërsua sërish. Por sipas komentatorit Zeidabadi, opozita nuk është në gjendje të ndërmarrë shumë gjëra në kushtet konkrete.

Autor: Thomas Bärthlein/Auron Dodi
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 16.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IAg2
  • Data 16.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IAg2