1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

'Çdo fillim mban në zemër një magji': Merkeli priti Macronin

Fjalë të ngrohta për mysafirin nga Parisi: kancelarja gjermane Angela Merkel priti në Berlin Presidentin e ri francez, Emmanuel Macron. Merkeli tha se e uron nga zemra për "rrugën e guximshme", që kishte ndjekur.

Para Zyrës Kancelarore, qindra vetë e shprehnin mbështetje për vizitën me flamujt e Gjermanisë dhe të Francës të lidhur së bashku. Mesazhi ndaj kancelares dhe presidentit: të dyja vendet, dikur armiq në luftë dhe tani të besuar, janë të pandarë, le të përpiqen sa të duan populistët ta dëmtojnë raportin dypalësh. "Në emër të miqësisë" thërrasin ata, kur Emmanuel Macroni kalon me veturë para tyre.

Rrallë ka pasur kaq shumë spektatorë të entuziazmuar në gardhin e Zyrës së Kancelares.

"Çdo fillim mban në zemër një magji", citon Merkeli shkrimtarin Hermann Hesse. Shpresat janë të mëdha.

Po, ai do që raporti gjermano-francez të bëhet sërish historik, si nën Konrad Adenauerin dhe Charles de Gaulle, ose Helmut Schmidt-in dhe  François Mitterrand-in. Fjalë të mëdha. Pra tani Merkeli dhe Macroni. Merkeli jep siguri se është shumë e ndërgjegjshme për përgjegjësinë e saj për miqësinë gjermano-franceze "në një moment shumë kritik të BE".

Në konferencën e përbashkët të shtypit në Berlin, kancelarja Merkel tha se do të bashkëpunojë "në mirëbesim, miqësisht dhe ngushtë" me partnerin e ri nga Parisi. Presidenti francez Macron tha se gjithmonë do të jetë "një partner i hapur, i drejtpërdrejtë dhe konstruktiv." Macroni kërkoi më shumë "qëndrime pragmatike" në marrëdhëniet bilaterale.

Gjermania e hapur për ndryshimin e Marrëveshjeve të BE

Angela Merkel tha se të dyja qeveritë do të hartojnë një plan kohor afatmesëm, si mund të forcohet bashkimi monetar i Eurozonës. Po të nevojiten për këtë ndryshime të marrëveshjeve të BE, Gjermania është e gatshme për këtë, tha kancelarja.

"Nga pikëpamja gjermane është e mundur që të ndryshohen marrëveshjet, kur kjo ka kuptim", tha Merkeli. Ky ndryshim nevojitet, nëse forcimi i eurozonës nuk synohet të arrihet vetëm me një marrëveshje ndërqeveritare. Kancelarja kritikoi pozicionimin e disa shteteve të BE, të cilat i  kundërshtojnë në parim ndryshimet e marrëveshjeve.

Macroni tha se "ndryshimet e marrëveshjeve (të BE) kanë qenë për një kohë të gjatë një tabu franceze". "Për mua kjo nuk është tabu", tha ai. Macroni dëshiron para së gjithash një plan veprimi për reforma, si mund të bëhen më efikasë BE dhe Eurozona. Po të rezultojë që për këtë nevojiten reforma të marrëveshjeve, ai është i gatshëm për to. Parardhësi i Macronit, François Hollande i pati kundërshtuar gjithmonë ndryshimet e marrëveshjeve të BE, sepse druhej se për këtë ndoshta në Francë do të nevojitej një referendum për ratifikimin.

Macroni tha për qytetarët që e pritën me gëzim në kangjellat e Zyrës Kancelarore ardhjen e tij: për mua kjo është shumë emocionuese. Ky është një sinjal për Evropën dhe është e rëndësishme që ky entuziazëm t'u rikthehet njerëzve, tha ai. Edhe Merkeli ka të njëjtin detyrim dhe përgjegjësi, shtoi Macron. Ai tha se dëshira e tij është që për të brohoritet ende edhe kur të vijë pas pesë vjetësh në Berlin. Ndërsa Merkeli tha për magjinë e çdo fillimi: një magji e tillë mban vetëm atëherë "kur pasojnë rezultate". Njësoj si Macron ajo dëshiron që njerëzit të vështrojnë të gëzuar dhe optimistë drejt së ardhmes. Dhe uron: "Për bashkëpunimin më të mirë të mundshëm."