1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çështje ditësh themelimi i Gjykatës Speciale në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, thotë se nëse dështon votimi në kuvend për themelimin e gjykatës, atëherë do të jetë rrezik, sepse me këtë çështje do të merrej OKB-ja.

Përderisa një grup ekspertësh nga Kosova që kryesohet nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, po zhvillon negociata me Brukselin se si do të duket infrastruktura ligjore e kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale, në Prishtinë po zhvillohet debat rreth kësaj çështjeje dhe ka ndarje të thella ndërmjet partive politike se a duhen votuar ndryshimet kushtetuese për themelimin e gjykatës apo jo. Gjykata Speciale do të gjykojë disa raste për krime lufte të dyshuara të jenë kryer gjatë luftës nga pjestarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Partitë politike opizitare tashmë e kanë ndarë mendjen, ato nuk do ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha të merkurën (04.03), se institucionet e Kosovës kanë marrë obligime për themelimin e Gjykatës Speciale dhe tash kjo çështje duhet të përfundojë. "Ne në fund të kësaj jave ose javën tjetër do të procedojmë me themelimin e gjykatës. Është një proces i rëndë, por i ndihmon zgjidhjes së çështjeve të ngritura. Nuk është e drejtuar për UÇK, por për individë", tha kryeministri Mustafa gjatë një debati të organizuar nga një organizatë joqeveritare, Lëvizja Fol.

Kryeministri Mustafa, thotë se Gjykata Speciale nuk është e drejtuar për UÇK-në, por për individë dhe se nëse votimi për themelimin e saj në Kuvend do të dështonte, atëherë kjo sipas tij do të jetë rrezik, pasi me këtë çështje do të merrej Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Partitë opozitare nga ana e tyre themelimin e kësaj gjykate po e cilësojnë si një nga të këqijat që po i bëhen Kosovës, ndonëse, partitë në pushtet, themelimin e gjykatës e arsyetojnë me kërkesat dhe trysnitë në rritje nga faktori ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të lëvizjes Vetëvendosje, dy partitë më të mëdha opozitare, thonë se projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë për themelimin e Gjykates speciale "është gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë Kosovës".

"Republika e Kosovës dhe përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës nuk guxojnë ta aprovojnë një projektligj të tillë, i cili parasheh jo vetëm aktakuza për individë, por edhe në përgjithësi për kauzën tonë, për luftën e UÇK-së dhe për shtetin e Kosovës", thotë Donika Kadaj-Bujupi nga AAK.

"Procedurat nëpër të cilat do të kalojë ndërtimi i këtij sistemi të plotë paralel të gjyqësisë në Kosovë nga ana e Gjykatës Speciale paraqesin gurin e fundit të atij pak sovraniteti të pavarësisë që kishte Kosova. Me këtë proces nuk mbetet më asgjë nga shteti i së drejtës në një republikë të pavarur", thotë Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ministri i Drejtësisë, në qeverinë e Kosovës Hajredin Kuçi, ka deklaruar se hartuesit e draft-ligjit janë treguar të kujdesshëm që të mos preket në sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe organet e drejtësisë.

Ish-kryeministri i Kosovës, tani ministër i Jashtëm Hashim Thaçi, ndërkaq, thotë se kuvendi duhet ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale, sepse sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk mund të jetojnë përjetësisht siç thotë "me këtë re të zezë mbi kokë".

Nëse kuvendi nuk e voton Gjykatën Speciale, fjalën e ka Këshilli i Sigurimit

"Duhet të vlerësojmë thellë a është më mirë që të merret vendimi nga institucionet Kosovës apo kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit. Nëse kjo çështje shkon atje, atëherë do të hapen edhe tema të tjera të cilat do të jenë të vështira për t'i tejkaluar që do të mund të zgjasnin jo tri deri në pesë vite, por deri në 20 vite", ka deklaruar zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi.

Në të njejtën linjë shprehen edhe disa analistë politik, të cilët thonë se institucionet e Kosovës nuk guxojnë të dështojnë në përgatitjen dhe miratimin e bazës ligjore që e mundëson themelimin e Gjykatës Speciale. Kjo çështje sipas tyre nuk duhet të shkojë në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, i tha Deutsche Welle-s, se "Kosova mund të negociojë dhe duhet të ketë të drejtën të negociojë termat e referencës, statutin dhe procesin e formimit, por jo mandatin e Gjykatës.

"Gjykata nuk mund të hapë rastet tashmë të mbyllura nga Tirbunali i Hagës. Por, Prishtina nuk ka mundësi të manovrojë dhe vë në dyshim ekzistencën dhe mandatin e gjykatës. Kjo për disa arsye. E para sepse nëse Kosova nuk e bën, vendet përkrahëse të Kosovës do të detyrohen ta lenë të shkojë në OKB. Atje do të vendosë Këshilli i sigurimit. Dhe së dyti sepse tani më janë bërë hetime të cilat kanë konkluduar se duhet formuar gjykata. Rezoluta e Këshillit të Evropës e detyron Kosovën të bëjë një hap të tillë. BE-ja do që ta bëjë në marrëveshje me Prishtinën. Përndryshe Këshilli i Europës do të kërkonte ndihmë nga OKB-ja. Së treti, ky është kriteri kryesor politik i BE-së për Kosovën dhe pa miratimin e gjykatës, Kosova nuk do ta nëshkruajë MSA-në dhe nuk mund të avancojë në rrugën e saj drejt BE-së, e cila edhe ashtu është shumë e gjatë", thotë Naim Rashiti.

Debatet për themelimin e një Gjykate Speciale për Kosovën filluan qysh pas raportit të senatorit Zviceran Dick Marty dhe hetimet e inicuara nga Këshilli i Evropës nën dyshimet për krime të kryera gjatë luftës nga pjestarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një prokuror amerikan Clint Williamson, tashmë ka kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte.