1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Çështja Spiegel", skandali që përfshiu Gjermaninë e pas luftës

"Çështja Spiegel“, 50 vite më parë, ishte një ndër skandalet më të mëdha të pas-luftës në Gjermani. Ishte hera e parë që nga periudha e nazizmit, që zyrtarë qeveritarë ndërmerrnin sulme kundër shtypit të lirë.

default

Recepsionisti mendoi se burrat mund të ishin nga Shën Pauli, duke u nisur nga mënyra se si ata parakaluan para tij, pa lëvizur as edhe një qerpik. Vizitorët, megjithatë, nuk ishin nga distrikti i dyshimtë me drita të kuqe i Hamburgut, por nga Byroja Federale Gjermane e Kriminalistikë (BKA). Dhe ata ishin drejtuar për nga redaksia e gazetës "Der Spiegel", një nga publikimet më të vlerësuara gjermane.

Më 26 tetor të vitit 1962, nën maskimin e errësirës, policët bastisën apartamentet e pesë gazetarëve të Spiegel, dhe arrestuan dy kryeredaktorët, Johannes K.Engel dhe Cluas Jacobi, që të gjithë nën akuzën e tradhtisë. Kërkimet për botuesin e gazetës, Rudolf Augstein dështuan, derisa ai u vetëdorëzua dy ditë më vonë. Autori i artikullit nga i cili nisi e gjithë çështja, Conrad Ahlers, u arrestua gjatë pushimeve të tij në Spanjë, nga oficerët policorë vendas. Zyra Federale e Kriminalistikës në Gjermani ushtroi kontroll në selinë dhe zyrat e Spiegel, të cilat i mbajti të mbyllura për javë të tëra.


Drithërima në Gjermaninë e pas­-luftës

"Çështja Spiegel" ishte një prej skandaleve më të mëdha në Gjermaninë e pas luftës. Për herë të parë pas sundimit të dhunshëm nazist, një shtëpi botuese u mbyll me ndihmën e institucioneve federale duke frikësuar, tallur dhe mënjanuar gazetarët. Nuk ishte thjesht një skandal rreth marrëdhënies mes politikës dhe medias, por një skandal specifikisht për Luftën e Ftohtë.

E gjitha nisi me pyetjen, nëse Gjermania Perëndimore e asaj kohe do të ishte në gjendje për ta mbrojtur veten kundrejt një sulmi nga Pakti i Varshavës, kërcënimi kanosës i anës tjetër të Perdes së Hekurt. Muri i Berlini ishte ngritur një vit më parë, dhe Lufta e Ftohtë ishte në aktivitet të plotë.

Në këto kushte, eksperti ushtarak i Spiegel, Conrad Ahlers, shkruajti artikullin "Pjesërisht gati për t´u mbrojtur," një histori rreth rezultateve të manovrave të NATO-s "Fallex 62." Shkrimi u publikua më 10 tetor të vitit 1962.

Ahlers përshkruante se qeveria gjermane nuk ishte e përgatitur në mënyrë të përshtatshme për një sulm të fuqishëm bërthamor ndaj Paktit të Varshavës. Nuk kishte ligj emergjencash, dhe sistemet spitalore dhe ato të komunikimit do të kolapsoheshin menjëherë. Popullsia nuk do të mund të merrte shërbim të përshtatshëm mjekësor, dhe trafiku do të bllokohej. Alhers kritikonte gjithashtu gjendjen e keqe të Bundeswehr, forcave të armatosura gjermane. Artikulli përmbante informacion të detajuar rreth fuqisë së trupave të NATO-s, pajisjeve të tyre dhe lëvizjes së trupave në rast lufte. Gazetari drejtonte gishtin ndaj ministrit të Mbrojtjes Franz-Josef Strauss (i Unionit Kristiansocial konservator, CSU), si njeriun me përgjegjësinë kryesore.

Spiegel Affäre Franz Josef Strauß

Afera Spiegel, Franz Josef Strauß ish-ministër i Mbrojtjes

Në të njëjtën ditë kur u publikua artikulli, ministri i Mbrojtjes mandatoi një raport sekret, në të cilën ekspertë pretendonin se artikulli i Spiegel zbulonte 41 sekrete shtetërore. Ata e quajtën publikimin e kësaj historie si një tradhti të lartë. Ministri i Mbrojtjes Strauss i shtyu hetimet derisa të kthehej nga pushimet.

Prokurori i Përgjithshëm Siegfried Buback, e hetoi Spiegel me anë të instituticionit të tij dhe ministrisë së Mbrojtjes. Akuzat ishin: dyshime për tradhti, falsifikim dhe korrupsion aktiv. Çështja mbërriti deri në Bundesrat, Dhoma më e lartë e parlamentit gjerman. Kancelari Konrad Adenauer i mbrojti masat e marra me shprehjen tashmë të famshme: "Ne kemi një humnerë tradhtie në këtë vend."

.

Tetor 1962, policia mban nën kontroll redaksinë e Spiegel

"Disi jashtë ligjit"

Përpara Bundestag-ut, dhoma e ulët e parlamentit, ministri Strauss u përpoq të minimizojë rolin e tij thelbësor në aksionet policore dhe mohoi të kishte gisht në to. Gjithsesi, u zbulua shumë shpejt se Ahlers, gazetari, i cili kishte shkruajtur artikullin në Spiegel, ishte arrestuar me urdhrin e Strauss. Ai operacion ishte veçanërisht i paligjshëm dhe "disi jashtë ligjit", siç iu desh ta pranonte ministrit të brendshëm asokohe, Hermann Höcherl. Ky eufemizëm mbetet edhe sot e kësaj dite "një e folur klasike" e politikanëve. 

Dy ditë pas intervistës përpara parlamentit, Strauss-it iu desh të pranonte se ishte i përfshirë në arrestimet e gazetarëve të Spiegel. Anëtarë të parlamentit u ndjenë të tradhtuar dhe "Çështja Spiegel" u kthye në një çështje të qeverisë së kancelarit Adenauer.

Botues, gazetarë dhe shoqata profesioniste u tubuan krah Spiegel. Ishin rizgjuar kujtime të hidhura. Në Gjermani dhe më gjerë flitej për kërcënime, "mbyllje goje" ndaj shypit gjerman, fjalë të cilat nuk ishin përdorur që nga regjimi nazist. Në të gjithë Gjermaninë Perëndimore kishte demonstrata dhe mitingje për lirinë e shtypit dhe sundimin e ligjit. Nga ana tjetër, Ahlers, botuesi Augstein dhe tre punonjësit e tjerë të Spiegel qëndruan në qeli gjatë hetimeve.

Në 14 dhjetor të vitit 1962 kancelari Adenuaer mblodhi një kabinet të ri, pa praninë e Strauss-it. Ish-ministrit të Mbrojtjes iu bë një festë e nderuar shkarkimi. Kancelari përmendi shprehjen e famshme "Kohërat e vështira i japin formë një njeriu". Ai dha dorëheqjen në vjeshtën e vitit 1963. Pas 103 ditësh në burg, më 7 shkurt të vitit 1963, më në fund Augstein u lirua.

Spiegel Affäre Demonstration Pressefreiheit

Demonstratë për lirinë e shtypit më 30 tetor 1962 në Frankfurt

Bastion i gazetarisë investigative

Dy vite më vonë, "Çështja Spiegel" ishte në gjykatë për herë të fundit. Në maj të vitit 1965, një gjykatë federale refuzoi rihapjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj Augstein dhe Ahlers, duke thënë se përmbajtja e artikullit të Spiegel nuk mbartte sekrete kombëtare. Në rastin e Strauss, zyra e prokurorit gjeti elementë të shpërdorimit të detyrës dhe burgim të padrejtë, por çështja nuk mbërriti kurrë në gjykatë. Një ankim kushtetues nga Spiegel u hodh poshtë kohë më vonë nga gjykata më e lartë gjermane. 

Botuesi Rudolf Augstein tha dikur, se tentativa e papërshtatshme për të eleminuar Spiegel kishte dështuar. Në fund, e përjavshmja përfitoi nga kjo përvojë e hidhur. Me dy breza të mëvonshëm gazetarësh, revista me qendër në Hamburg vazhdon ende të jetë e fortë, dhe jo vetëm ekonomikisht. Që atëherë, Spiegel ka pasur reputacionin e një gazetarie të pavarur investigative.