1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çështja palestineze mbizotëron bisedimet Gjermani - Izrael

Projekti për një vendbanim të ri në Jeruzalemin Lindor mund t'i spostojë në plan të dytë bisedimet gjermano - izraelite. Berlini synon marrëdhënie të mira, por e ka vështirë t'i shmanget kritikës ndaj Netanjahut.

Der israelische Ministerpräsident Benjamin Netanjahu und Bundeskanzlerin Angela Merkel unterhalten sich am Montag (31.01.2011) in Jerusalem (Israel) bei einem gemeinsamen Essen. Merkel und zahlreiche Minister sind am Montag (31.01.) zu den dritten deutsch-israelischen Regierungskonsultationen in Jerusalem zusammengekommen. Sie ist zu einem zweitägigen Besuch in dem Land. dpa

Israel Benjamin Netanjahu und Bundeskanzlerin Angela Merkel

Kur liderët gjermanë dhe izraelitë u takuan këtë të mërkurë dhe të enjte (05-06.12.2012), çështjet në axhendën e tyre ishin mjaft të padëmshme: inovacion, arsim dhe qëndrueshmëri. Por konsultimet qeveritare ka të ngjarë të jenë lënë "në hije" nga zhvillimet më të fundit në konfliktin me Palestinën.

Deklarata e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për autorizimin e ndërtimit të 3 mijë blloqeve të tjera banimi në Jeruzalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor, do të jetë një pikë e diskutueshme. Një vendbanim izraelit në zonën e ndjeshme E1 në lindje të Jeruzalemit, praktikisht do ta ndante Bregun e pushtuar Perëndimor në dy pjesë. Ai gjithashtu do ta ndante Jeruzalemin Lindor nga territoret e mbetura palestineze.

Kjo deklaratë kërcënon negociatat e ardhshme të paqes dhe është dënuar nga qeveria gjermane dhe po ashtu edhe nga shtetet e tjera perëndimore, të cilat duan që Izraeli të heqë dorë nga planet e vendbanimit.

Shqetësimet e Gjermanisë

Marrëdhëniet e mira me Izraelin janë një gur themeli në politikën e jashtme të Gjermanisë. Përgjegjësia historike gjermane për Holokaustin shpjegon këtë politikë vis-à-vis me Izraelin. Marrëdhëniet janë intensifikuar përgjatë dy viteve të fundit, dhe takimi i kësaj jave është i katërti që nga viti 2008.

Ruprecht Polenz, anëtar i partisë qeverisëse Bashkimi Demokratik Kristian, njëkohësisht kryetar i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, tha se "qëllimi i Gjermanisë është për të mundësuar një shtet hebre demokratik që të bashkëjetojë në paqe me fqinjët e tij." Kjo mund të garantohet nga një zgjidhje mes dy vendeve, i tha Polenz DW. Kjo është arsyeja pse ai mendon se kancelarja Angela Merkel duhet të ngrejë shqetësimin e Gjermanisë.

Kreu i Grupit Parlamentar Gjermano-Izraelit, Jerzy Montag, i Partisë së Gjelbër, bie dakord me këtë. Ai shpreson se "Kancelarja Merkel do të flasë hapur dhe qartë, pa prishur lidhjet e ngushta dhe historike izraelito-gjermane." Ai shtoi se falë përgjegjësisë së veçantë të Gjermanisë ndaj Izraelit, qeveria duhet të vërtetojë më hapur zgjidhjen e dy vendeve.

Israeli Prime Minister Benjamin Netanyahu and German Chancellor Angela Merkel line-up for a 'family photo' with the government members of Germany and Israel in the hall of the Chancellery in Berlin December 6, 2012. REUTERS/Wolfgang Rattay (GERMANY - Tags: POLITICS)

Konsultimet qeveritare gjermano - izraelite në Berlin, 06.12.2012

Abstenimi i OKB-së

Jerzy Montag pret që delegacioni izraelit të kërkojë një shpjegim për abstenimin e Gjermanisë rreth votës më të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila vendosi statusin e vëzhguesit për Palestinën. Izraeli e kundërshtoi me forcë ofertën palestineze dhe i hapi rrugë planit për vendbanimin në zonën E1 menjëherë pas votimit.

Montag dhe Polenz i dënojnë planet izraelite për këtë vendbanim. Montag beson se Izraeli duhet ta pranojë se thuajse e gjithë bota mbështet zgjidhjen mes dy vendeve dhe Izraeli do të ishte në pozita më të mira që mos ta sabotonte këtë.

Polenz theksoi se aspektet e rezolutës së OKB-së mbështesin një zgjidhje paqësore. "Në rezolutë, pala palestineze për herë të parë pranon ekzistencën e një shteti izraelit," thotë ai. "Flitet për një shtet palestinez që bashkëjeton krah për krah me Izraelin brenda kufijve të vitit 1967, plus që reciprokisht bihet dakord për ndryshimet kufitare. Është saktësisht formula që duhet të jetë në tavolinë," shton Polenz. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme është i bindur se qeveria gjermane kishte arsye shumë të mira që të mos i vinte veton kësaj rezolute.

Eksporti i armëve

Duke lënë mënjanë dallimet aktuale, Berlini dhe Jeruzalemi kanë bashkëpunuar për një kohë të gjatë në fushën e sigurisë. Në prag të çdo marrëveshjeje armësh me shtetet fqinje, Gjermania ka shqyrtuar me kujdes shqetësimet izraelite në çështjet e sigurisë, shpjegon Polenz. Ai citon shembullin e një dërgese të planifikuar të mjeteve të blinduara të transportit drejt Arabisë Saudite. Gjatë konfliktit më të fundit mes Hamasit dhe Izraelit, Gjermania theksoi të drejtën izraelite për vetëmbrojtje, shton Polenz. "Por Gjermania nuk ka për të mbështetur çdo lëvizje të Izraelit," i thotë Polenz Deutsche Welle-s, duke iu referuar planeve të vendbanimit. Sidoqoftë, ai beson se ka shumë gjasa që Izraeli të pranojë kritika konstruktive nga një aleat i besueshëm.