1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shqipëria 1990

"Çështja nuk është si, por kur do të vijë revolucioni"

Shtypi botëror i kohës mbi ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Shqipëri

Gazeta te ndryshme te botes ne kiosk

"Süddeutsche Zeitung", 4 korrik 1990

Shqiptarët kërkojnë strehë në ambasadat e huaja

Boni proteston kundër të shtënave të rojeve

"Siç bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hans Schumacher të hënën në mbrëmje katër refugjatë kapërcyen murin e ambasadës gjermane, që u hap në 2 tetor 1987. Rojat shqiptare hapër menjëherë zjarrin duke plagosur një burrë, që po trajtohet nga ana mjekësore në ambasadë. Në natën duke u gdhirë e marta gjendja eskaloi në mënyrë të rrezikshme, kur 79 refugjatë hipën në murin e ambasadës dhe çanë me një kamion derën e ambasadës. ...Ambasadori shqiptar, Shpëtim Çaushi u thirr të hënën në Ministrinë e Jashtme për t'iu dorëzuar protesta e qeverisë gjermane, e cila menjëherë iu nis Tiranës. Qeveria gjermane kërkon lejimin e udhëtimit të lirë për refugjatët në vendin e zgjedhur nga ata...Ndërkohë që 20 refugjatë kanë gjetur strehë në ambasadën e Italisë, siç njoftohet nga Ministria e Jashtme në Romë. Gjendja ndryshon me orë. Forcat shqiptare të sigurisë janë përpjekur disa herë të nxjerrin refugjatët nga ambasada."

"Frankfurter Allgemeine Zeitung:" 4 korrik 1990

Shqiptarët kërkojnë strehë në ambasadat e huaja

"Eksodit masiv i kanë paraprirë trazira dhe demonstrata në kryeqytetin shqiptar, të cilat para së gjithash drejtohen kundër ligjit të ri të pasaportave, thuhet në agjensitë e lajmeve. Sipas informacioneve të qeverisë greke, në këto trazira ka pasur edhe viktima, si edhe mjaft të plagosur. Agjensia shtetërore shqiptare e lajmeve tha të martën se rreth 300-400 "huliganë" kanë hyrë në ambasada. Familjarët e "huliganëve" i ndihmuan ata të hyjnë në ambasada, duke goditur me gurë forcat shqiptare të sigurisë, njofton agjensia shqiptare."

"The Guardian" 4 korrik 1990

Tirana zien

Një lloj urtësie bërë si zakon, deri më tani na thoshte versionin se shqiptarët ishin kaq të nënshtruar, saqë vendi i tyre mund të mbeste një shtet socialist edhe për disa dekada të tjera. Tanimë këtë nuk e beson më askush.

"Die Welt", 5 korrik 1990

"Ora e stalinizmit mori fund!"

"Zëdhënësja për politikën e jashtme të fraksionit të CDU/CSU në Bundestag, Michaela Geiger i kërkoi Tiranës të pranojë më në fund se "ora e stalinizmit edhe në Shqipëri ka marrë fund!"...Një avion civil do të dërgojë nga Gjermania krevatë dhe mallra humanitare për refugjatët. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Cobog hodhi poshtë zërat, sipas të cilave, Boni po shqyrtonte mundësinë e dërgimit të një avioni ushtarak drejt Tiranës."

"Neue Zürcher Zeitung", 7 korrik 1990

Presion ndërkombëtar ndaj Shqipërisë për t'i lënë të lirë të lëvizin refugjatët e ambasadave

"Bashkësia Evropiane, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Cuellar dhe ministri i Jashtëm gjerman, Genscher kanë kërkuar një zgjidhje humane për burrat, gratë dhe fëmijët në të dhjetë përfaqësitë diplomatike, ndër to edhe ambasada gjermane në Tiranë. Edhe të enjten vazhdoi eksodi. "Dera e ambasadës është ende e hapur", u tha në Bon. Bashkësia Evropiane ka kërkuar mosprekjen e refugjatëve dhe të familjeve të tyre dhe është shprehur e shqetësuar për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri."

"Frankfurter Allgemeine Zeitung", 9 korrik 1990

Pas ndryshimeve në qeveri rriten shpresat për hapjen e rrugës për udhëtim

"Pas lëshimeve nga qeveria shqiptare dhe ndryshimeve në qeveri (shën. red.: me ndryshimet në qeveri kihet parasysh, largimi nga detyra i ministrit të Brendshëm, Simon Stefani dhe atij të Mbrojtjes, Prokop Murra) pritet një zgjidhje e shpejtë e problemit të refugjatëve... Qeveria gjermane vazhdon të përpiqet të bindë Tiranën të lejojë lëvizjen e lirë të 5000 refugjatëve, është shprehur Ministri i Jashtëm gjerman, Genscher për radion e landit të Hessenit...Ndërkohë mjekët e pakët në misionet diplomatike janë duke punuar pa pushim. Një mjek francez trajton në ditë 60 pacientë, shumica të plagosur gjatë përpjekjes për kapërcimin e gardheve me gjemba të ambasadave. Natën duke u gdhirë e diela një grua e re lindi një fëmijë në ambasadë.

"Kölnische Rundschau", 13 korrik 1990

Shqipëria para trazirave të përgjakshme

"Që ambasadat në Tiranë dhe veçanërisht ajo e Republikës Federale Gjermane - janë të rrethuara nga një kordon i ngjeshur ushtrarak, tregon synimin për të parandaluar valë të reja refugjatësh. Në malet e Tiranës, sipas njoftimeve nga vizitorë jugosllavë, qëndrojnë mijëra shqiptarë të gatshëm për të hyrë në ambasadat e huaja dhe në këtë mënyrë të dalin jashtë. ...Në mesin e popullit shqiptar sundon një atmosferë e dëshpëruar, shkaktuar nga rritja e mjerimit ekonomik, pasojë e një politike të gjatë izolimi dhe një sistemi të ashpër stalinist. "

"Der Spiegel", 16 korrik 1990

Pak kozmetikë

Mijëra vetë që zunë ambasadat mund të udhëtojnë jashtë - por shteti i fundit stalinist në Evropë mbetet një fuçi baruti

"Ikje spektakulare nga një vend i padëshiruar: një armatë e tërë anijesh, në mesin e tyre dy anijet italiane "Appia" dhe "Grecia Espresso", dy tragete greke dhe një anije franceze u futën në portin e Durrësit për të marrë 5000 refugjatët e ambasadave pas dy javësh dramatike. "Aksioni ishte një aventurë e rrezikshme" tha një diplomat në Tiranë. Me më shumë se 3000 refugjatë, ambasada gjermane ka qenë më e uzurpuara. Mungonin artikuj ushqimorë, madje uji i pijshëm, gjendja sanitare ishte e tmerrshme. Ambasada e sapongritur gjermane ka pasur vetëm tetë banjo. ...Stuhia e eksodit në ambasada e kujtoi botën në mënyrën më drastike, se pas revolucioneve qytetare në bllokun e shpërbërë lindor, një popull gati i harruar ende jeton nën kërbaçin stalinist."

"Newsweek", 10 shtator 1990

Ne tehun e revolucionit

Shqipëria do të shpërthejë, pyetja e vetme ështe se kur

"Pak më shumë se dy muaj kur mijëra shqiptarë hynë në ambasadat e huaja dhe siguruan kalim të sigurtë për në Perëndim, vendi nga jashtë duket i qetë. Por një tur gjashtëditor përmes vendit nxjerr në pah gjendjen e dëshpërimit dhe protestës së heshtur, që mund të shpërthejë në çdo moment....Ka pasur incidente, megjithatë shpesh jashtë syrit të vëzhguesve perëndimorë. Në Përmet autoritetet nxorrën trupat e tri burrave, që ishin vrarë në përpjekje për të kaluar kufirin me Greqinë. Trupat parakaluan për tre orë nëpër rrugë. Dezertorët e tjerë e morën mesazhin.

Diplomatët në Tiranë fillimisht spekuluan se Alia mund të ushtrojë "opcionin bullgar" të ndryshimit gradual nga lart. Por tanimë ata shohin çfarë ka ndodhur në Rumani dhe në sheshin Tiananmen."Çështja nuk është si, por kur do të vijë revolucioni", tha një zyrtar i huaj..."