1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Çështja e pavarësisë ndan skocezët

Pavarësi - po apo jo? Obani në Bregdetin Perëndimor të Skocisë është po kaq i përçarë sa i gjithë kombi.

700 vjet më parë, skocezët mundën në betejën e Bannocburnit fuqinë e madhe, Anglinë duke siguruar me këtë, për herë të parë për shumë shekuj, pavarësinë e tyre. Sot në Skoci vërtet nuk bëhen më beteja, megjithatë referendumi i planifikuar për 18 shtator për pavarësinë e Skocisë e ka ndarë vendin.

Calum MacLachlainn dhe Paul Sloan janë miq të vjetër. Prej shumë vitesh ata i drejtojnë së bashku disa restorante në Skoci. Por kur vjen puna te pavarësia e Skocisë, midis dy burrave plas sherri. Vizioni i MacLachlainnit për një Skoci të pavarur është për shokun dhe ortakun e tij Sloan një përfytyrim horror.

Një Skoci e pavarur, thotë MacLachlainn do të kishte më shumë besim në vete dhe si një vend i vogël me pak më shumë se pesë milionë banorë do të reagonte shpejt ndaj krizave. Si Islanda në rastin e krizës financiare. "Atje bankierët i futën menjëherë pas hekurave dhe dolën në këtë mënyrë shpejt nga recesioni".

Një Skoci e pavarur mund të vendoste më tej nëse do të mbetej në BE, mendon MacLachlainn. Skocia përbën rreth tetë përqind të banorëve të Britanisë së Madhe dhe në përputhje me këtë ka pak ndikim.

Ortaku i MacLachlainn-it, Sloan nuk është i bindur. Skocisë i venë punët mirë në Britaninë e Madhe, thotë Sloan. "Pse duhet të heqim dorë nga kjo?" Nga pikëpamja ekonomike pavarësia nuk ka shumë kuptim, sepse Skocia nuk ka shumë burime të ardhurash, për ta mbajtur infrastrukturën e saj. Edhe një qeveri potenciale laburiste e shqetëson sipërmarrësin: kjo sepse si traditë Skocia zgjedh më tepër të majtët. Ndërsa MacLachlainn-i, si pjesa më e madhe e atyre që mbështesin pavarësinë, është për rishpërndarjen e pasurisë.

Në bazë të anketimeve, kundërshtarët e pavarësisë së Skocisë kanë një përparësi të vogël në krahasim me mbështetësit e pavarësisë. Por jo vetëm në qytetin Oban, ka njerëz që ende janë të pavendosur. Në fund do të jenë ndoshta të pavendosurit, të cilët do të vendosin për fatin e bashkimit 300 vjeçar.