1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çështja e kufirit Kosovë - Serbi në kuadër të kritereve të procesit për liberalizimin e vizave

Menaxhimi i integruar i kufijve është pjesë e kritereve që duhen plotësuar në procesin e liberalizimit te vizave me BE. Kosova shpreson të përmbushë kushtet teknike për liberalizimin e vizave deri në vitin 2011.

default

Kufiri Kosovë Serbi

Vizitat e paparalajmëruara në veri të Kosovës të zyrtarëve të lartë të Serbisë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale që Serbia organizon të dielën në veri të Mitrovicës, po i bëjnë shumë dëm Kosovës. I këtij mendimi është ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, kur përmend në bisedë me Deutsche Welle-n, se ka dy javë që zyrtarë partiakë të Serbisë po hyjnë në Kosovë pa marrë leje nga institucionet e Kosovës.

Për çështjen e kufijve policia e Kosovës duhet të koordinojë veprimet me EULEX-in dhe UNMIK-in

Megjithatë sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit, policia e Kosovës nuk mund t'i ndalojë vizitat e zyrtarëve serbë, sepse në pikat kufitare me Serbinë akoma nuk është bërë mbartja e përgjegjësive tek policia e Kosovës.

Rexhepi: “Në pikën kufitare 1 dhe 31 ende nuk është bërë transferimi i kompetencave tek policia kufitare e Kosovës. Është bërë transferimi nga policia e UNMIK-ut tek misioni EULEX dhe është përgjegjësi e tyre. Kemi kërkuar nga policia e Kosovës që në momentin që kanë të dhëna që zyrtarë serbë duan ta vizitojnë Kosovën, të kërkojnë me shkrim nga misioni EULEX që t'i ndalojë dhe mos i lejojë që të hyjnë në Kosovë.”

Megjithatë ministri, Bajram Rexhepi është i mendimit, se veprimet e policisë së Kosovës në veri duhen koordinuar mirë me organet ndërkombëtare të sigurisë. Rexhepi i trembet kthimit në bumerang të veprimeve të veçuara. "Nuk duam të vihemi në atë pozicion që policia jonë pa përkrahjen e strukturave ndërkombëtare të sigurisë të ndërmarrë veprime dhe më pas të kundërshtohemi apo ndalohemi nga misioni EULEX, apo KFOR-i. Këto veprime duhet të jenë të kordinuara mirë.”Raportet jo të mira politike Kosovë-Serbi, kanë bërë që policia e Kosovës të mos ketë kontroll në vijën kufitare me Serbinë.

Kufijtë dhe siguria e dokumentave - kushte të rëndësishme për liberalizimin e vizave

Menaxhimi i integruar i kufijve është një nga kushtet e Komisionit Evropian, që Kosova duhet të përmbushë për përfshirjen e saj në procesin e liberalizimit të vizave. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, është optimist që brenda këtij viti, policia kufitare e Kosovës mund të marrë kompetencat për kontrollin e brezit kufitar të vendit. Por kontaktet me Serbinë do të mbesin në duar të misionit EULEX. Rexhepi: "Në këtë pjesë dhe më tutje do të mbetet prezenca e KFOR dhe EULEX-it, për shkak të situatës politike. Ndërsa, për të tjerat, ju e dini që kohë më parë i kemi marrë kompetencat e plota për brezin kufitar me Shqipërinë, së shpejti pritet edhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe kështu të përfundojë ky proces.”

Kusht tjetër i Komisionit Evropian për përfshirjen e një vendi në procesin e liberalizimit të vizave është siguria e dokumenteve. Në këtë pikë ministria e rendit ka kohë që është duke punuar, mirëpo, me gjasë deri në fund të vitit apo vitin e ardhshëm, ajo nuk do mund të fillojë me prodhimin e pasaportave biometrike. Ministri Rexhepi thekson se nëse lëshohen pasaportat biometrike pa sigurinë e dokumenteve përcjellëse të këtyre pasaportave, atëherë ato nuk kanë ndonjë vlerë. Ministria e brendshme kosovare po punon krahas ngritjes së sigurisë për dokumentacionet civile edhe në drejtim të çuarjes përpara të procesit të pasaportave biometrike.

Kosovarët nuk duan të mbeten pas shteteve të tjera të rajonit

Bajram Rexhepi

Bajram Rexhepi, ministri i Brendshëm i Kosovës

Nënshkrimi i marrëveshjeve për riatdhësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vendet e BE-së dhe nuk e kanë statusin e rregulluar është një tjetër kërkesë e Komisionit Evropian. Në këtë pikë Kosova deri tash ka arritur të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesim vetëm me pesë shtete të BE-së. Ministri i punëve të brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, kërkon që Komisioni Evropian t'ia ofrojë zyrtarisht edhe Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në mënyrë që të dihet një datë e saktë se kur Kosova mund të përfshihet në këtë proces. Ai thotë se lënia prapa e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, do të jetë një ndjenjë e keqe për qytetarët e Kosovës.

Rexhepi: “Në momentin që përfundon procesi i liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen dhe Hercegovinën dhe mbetet jashtë vetëm Kosova, atëherë edhe tendencat për falsifikim të shtetësisë do të jenë të mëdha. Shumë qytetarë të Kosovës do të detyrohen të japin para dhe të deklarohen si qytetarë të Shqipërisë, Maqedonisë Malit të Zi apo edhe të Serbisë, në mënyrë që të kenë mundësinë e lëvizjes së lirë”

Në politikën kosovare mbretëron optimizimi se shumica e kushteve teknike për liberalizimin e vizave do të plotësohen deri në vitin 2011.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 26.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NXGI
  • Data 26.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NXGI