1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çështja e emrit - vendimtare për integrimin e Maqedonisë në BE

Edhe pse zëvëndëskryeministres së Maqedonisë Teuta Arifi iu dha mbështetje gjatë takimeve që ajo pati në Berlin, pala gjermane tregohet e përmbajtur për shansin e nisjes së negociatave në dhjetor.

Zëvendëskryeministrja për Çështjet Evropiane, Teuta Arifi, zgjodhi kohën e duhur për të vizituar kryeqytetin gjerman. Mesazhi që doli gjatë diskutimeve mes qeverisë, ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bundestagut, siç tha zonja Arifi, është se ekziston "përmbushje dhe arritje e dialogut në nivele të larta me BE-në dhe kjo është vlerësuar pozivitisht në përgjigjen e memorandumit. Ata po presin që Maqedonia të jetë e orientuar përkundrejt prioriteteve që janë vënë në lidhje me BE-në." Burime pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme thanë për DW se përgjigjja e Maqedonisë rreth memorandumit grek "është një hap i ri i një cilësie të re dhe me tonet e duhura" që duhet t´i hapë rrugë zgjidhjes rreth çështjes së emrit.

Gjermania e angazhuar

Gjatë diskutimeve në ministrinë e Punëve të Jashtme me Sekretaren e Shtetit Emily Habber, Arifi mori konfirmimin se Gjermania po mbështet perspektivën evropiane të Maqedonisë, sepse stabiliteti i vendit është i rëndësishëm për sigurinë në rajon. Në lidhje me një prej çështjeve më të rëndësishme për të caktuar një datë për negociimet në samitin e Këshillit të Evropës në dhjetor, është e dukshme se qeveria dhe ministria e Punëve të Jashtme janë të rezervuara pavarësisht këndvështrimeve që kanë parlamentarët në Bundestag.

Teuta Arifi u takua në Berlin me deputetin e Bundestagut, Peter Weiß

Teuta Arifi u takua në Berlin me deputetin e Bundestagut, Peter Weiß

Sipas të njëjtave burime thuhet se "mbështetja gjermane është e konfirmuar kudo që është e mundur, por do të ishte gabim për të dhënë shpresa për të qenë më pranë BE, kur kjo nuk është e vërtetë."

Debat i emrit me ndikim në Evropë

Propozimet e Komisionit Evropian për nisjen e negociatave në dhjetor dhe paralelisht edhe zgjidhja rreth çështjes së emrit ishin subjekt i diskutimeve që Arifi pati me Rupert Polentz, kryetar i Komisionit për Çështjet e jashtme në Bundestag. "Aktualisht, ne si parlament jemi informuar nga ministria e Punëve të Jashtme rreth propozimit të Komisionit Evropian dhe Bundestag ka të drejtë për të dhënë mendimin e tij rreth kësaj çështjeje. Fillimisht kjo do të diskutohet mes kryetarëve të grupeve parlamentare dhe nuk e di si do të vijojë ky diskutim. Në çdo rast, në të shkuarën ne kemi menduar se çështja e emrit ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe sigurisht nuk është gjë e mirë sepse ky debat ka ndikim në Evropë," tha Polents. "Është për të ardhur keq që ka probleme dhe se zgjidhja nuk varet nga Maqedonia apo Gjermania. Janë dy vende, Bullgaria dhe Greqia që shprehin rezerva," thotë Peter Weis, anëtar i parlamentit CDU-CSU në Bundestag.

Ai shton se gjermanët po punojnë në mënyrë shumë konstruktive që të gjendet një zgjidhje për çështjen e emrit dhe siç po mendon Komisioni, negociatat të fillojnë para zgjidhjes përfundimtare të emrit. "Është shumë e vështirë për të vendosur paraprakisht se si do të ndodhë. Shpresoj që njerëzit në Evropë, në rastin e Maqedonisë, më në fund do të jenë në gjendje për të bërë diçka sepse kjo është hera e katërt që Komisoni Evropian sugjeron nisjen e negociatave dhe ne, ashtu si edhe Maqedonia, po punojmë rreth kësaj pa ndonjë kënaqësi. Kjo, për shkak të problemeve që kanë vendet e tjera. Deri tani nuk ka qenë e mundur që të implementohen rekomandimet e Komisionit. Kjo nuk është gjë e mirë, dhe sigurisht se ne si gjermanë kemi interes që kjo gjendje të ndryshojë," komentoi për Deutsche Welle-n, Peter Weis.