1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çështja e emrit prioritet për Maqedoninë

Bisedimet në Nju Jork mbi çështjen e emrit të Maqedonisë mes Shkupit dhe Athinës japin optimizëm për zgjidhje. Në tryezë janë shtruar alternativa. Në raundin pasues pritet përgjigja e secilës palë.

Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit të Maqedonisë Metju Nimic tha, se pozicionet e palëve negociuese po kristalizohen. Shkupi dhe Athina po shprehin vullnetin dhe po punojnë për aritjen e një zgjidhjeje konkrete. Sipas Nimic në tryezën e bisedimeve u shprehën edhe reagime ndaj disa ideve të propozuara për zgjidhjen e çështjes së hapur të emrit. “Çështja e emrit nuk është më si mjegull mbi kokë, por ajo ka zbritur në tokë duke u bërë realitet në tryezën e bisedimeve”. Nimic theksoi, se në Nju Jork është biseduar hapur për shumë çështje të nxehta, por ai refuzoi të tregojë se cilat janë këto çështje. Deri në pranverë do të ketë së paku edhe një takim të përbashkët midis palëve negociuese, prej nga do të jepen përgjigje nga Shkupi dhe Athina lidhur me propozimet e Metju Nimic.

Dy alternativa për emrin

Mediat në Maqedoni informojnë se zgjidhja e kontestit të emrit po hyn në fazë përfundimtare dhe se në takimin e rradhës do të bisedohet vetëm për detaje teknike rreth marrëveshjes. Madje në opinionin vendas flitet se emri i ri mund të jetë “Republika e Maqedonisë së Vardarit” ose “ Republika veriore e Maqedonisë”. Nëse arihet marrëveshja midis palëve negociuese , pritet që qytetarët e Maqedonisë të prononcohen në referendum për zgjidhjen e mundëshme që do të arrihet me ndërmjetësim të OKB-së.

Ambasadori i Maqedonisë në negociatat për çështjen e emrit Zoran Jolevski thotë se Maqedonia mbetet e përkushtuar në gjetjen e zgjidhjes, që nuk cënon dinjitetin maqedonas. Sipas tij, bisedimet e fundit në Nju Jork kanë shënuar një hap para. “Çdo takim është një hap para. Me rëndësi është që t'a arrijmë qëllimit. Ndjej se po ecim në drejtimin e duhur”, është shpreh Jolevski.

Demiri: Maqedonia e gatshme për kompromis

Ekspertë të marrëdhënjeve ndërkombëtare vlerësojnë se takimi i Nju Jorkut ka dhënë sinjale, që çështja e emrit mund të zgjidhet deri në pranverë .

Sipas analistit politik Alajdin Demiri deri më tani pala maqedonase nuk i ka kushtuar aq seriozitet bisedimeve, por qërkuse Shkupit iu bë e qartë se vendi nuk mund të anëtarësohet në BE dhe në NATO pa zgjidhjen e çështjes së emrit, gjë për të cilën insiston Greqia, politikanët në Maqedoni kanë filluar të tregohen konstruktiv në bisedime. ”Pas vetove të njëpasnjëshme të Greqisë për marjen e datës së filimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, në Maqedoni ka një kthjellim dhe tendecë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Sipas bindjeve të mia, politika maqedonase është më e gatshme të ulet të negociojë dhe të gjej zgjidhje për emrin”, shprehet Demiri.

Sipas profesorit Bekim Kadriu edhe në kushtet e rritjes së presionit nga faktori ndërkombëtar, zgjidhja nuk mund të arrihet pasi ajo varet nga vullneti i palëve negociuese. Zgjidhja e kontestit të emrit kërkon një konsensus më të gjërë si nga partitë politike ashtu edhe nga vetë qytetarët. Bisedimet me ndërmjetësimin e OKB-së po zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar, rezultati i bisedimeve varet nga sjellja e palëve negociuese. “Bisedimet kërkojnë interesimin nga të dyja palët, qasje serioze për t'u ulur në bisedime dhe më kryesorja palët duhet të jenë të gatshme për kompromis”, shprehet Kadriu.

Mungesë e guximit tek elitat politike

Profesori i të drejtës ndërkombëtare Denko Malevski është pesimist, se raundi i fundit i bisedimeve që u zhvillua në Nju Jork, do të rezultojë me ndonjë zgjidhje të mundëshme. Si pasojë e krizës politike të brendshme që ka përfshirë aktualisht është Mqedoninë, vështirë është të pritet që elitat politike të marin vendim serioz për mbylljen e çështjes së emrit. “ Pavarësisht se çka do të arrihet në bisedimet për çështjen e emrit, ajo marrëveshje duhet të vijë në parlament, në qeveri sepse nuk ka politikan që të mund ta zgjidhë individualisht këtë problem. Në Maqedoni nuk shoh vullnet politik tek asjnë politikan për të marë guximin për mbylljen e çështjes së emrit. Partitë në pushtet por edhe ato të opozitës friksohen nga kompromentimi se kush e shiti emrin” , shprehet Denko Malevski.

Opozita maqedonase ka vëretje serioze për heshtjen e qeverisë dhe mostransparencën për atë se çfarë diskutohet në takimet për çështjen e emrit. Nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska thotë se Maqedonia ka nevojë për konsensus të brendshëm dhe paskëtaj mund të pritet një marrëveshje me palen greke. “Është e kuptueshme që disa nga temat, për të cilat bisedohet me palën greke të mbahen në diskrecion, por kur dihet se sa e ndjeshme është çështja e emrit nuk duhet të ketë heshjte totale nga ana e qeverisë, sepse qytetarët duhet të informohen mbi qëndrimet dhe propozimet e qeverisë”, thotë Sheqerinska.

BE në pritje të rezultatit konkret për emrin

Ambasadori i BE-së në Shkup Aivo Orav në një prononcim për bisedimet e zhvilluara në Nju Jork tha, se kapitulli historik që do të ndodhë në të ardhmen do të jetë mësim pozitiv për historinë që do të mësohet në Maqedoni në të ardhmen. Zgjidhja eventuale e çështjes së emrit, sipas ekspertëve të vendit me siguri do t'i hapte dyert Maqedonisë për anëtarsim në strukturat euroatlantike. Eurokomisari i BE-së Shtefan Fyle ka tërhequr vëmendjen, se deri në pranverë për Maqedoninë do të përgatitet një raport i parakohshëm për progresin në bazë të të cilit Maqedonisë do të mund t'i caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.