1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çështja "Basha" drejt zbardhjes së saj

Që prej disa ditësh dosja e Ministrit të Jashtëm ndodhet në Gjykatën e Lartë. Lulzim Basha akuzohet nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim detyre dhe abuzime me fondet publike.

Tirana

Tirana

Burime nga organi qendror i akuzës thanë sot për DW se "të martën e ardhshme, më 16 dhjetor, do të përcaktohet me short cili do të jetë trupi gjykues ne procesin gjyqësor për çështjen Basha."

A do të ketë një proces gjyqësor?

Kjo pikëpyetje është ngritur që kur mbrojtja e Zotit Basha ka ngritur padi kundër Prokurorisë së Përgjithshme për shkelje proceduriale. Avokati i Ministrit Basha, Zef Nikaj e ka quajtur akuzën kundër klientit të tij "me shkelje të rënda dhe me motive politike". "Janë veprime dhe pretendime antiligjore, antikushtetuese të Prokurorisë, që manifestojnë në mënyrën më skandaloze dhe të paprecedentë një proces të montuar politik," tha në një konferencë për shtyp avokati i Ministrit Basha, Zef Nikaj, pasi rreshtoi një numër të madh shkeljesh proçeduriale, në krye të të cilave qëndron mosrespektimi i ligjit sipas të cilit, Prokuroria nuk ka të drejtë ta thërrasë si të pandehur Bashën, në një kohë kur Gjykata e Faktit e konsideron çështjen të mbyllur. Por Prokuroria i është kundërpëgjigjur Mbrojtjes duke e adresuar çështjen ne Gjykatën e Lartë, përderisa bëhet fjalë për një zyrtar të lartë. Fjala e fundit i mbetet Gjykatës së Lartë.

Mbështetësit dhe sulmuesit e Ministrit Basha

Në duelin mes Ministrit Basha dhe Prokurorisë së Përgjithshme, në krah të Ministrit Basha dhe mbrojtjes së tij vazhdon të qëndrojë Partia Demokratike. Ajo i quan akuzat e Prokurorisë të fabrikuara nga lideri i opozitës Edi Rama. "Partia Demokratike dënon farsën e shpifjeve të Zotit Rama dhe të shpurës së tij. Ajo shpreh mbështetjen për realizimin e projektit të rrugës Durrës - Kukës, një projekt madhor, i papërsëritshëm në historinë e Shqipërisë," tha zëdhënësi i PD, Gerdi Bogdani.

Ashtu si mbështetësit edhe sulmuesit e Ministrit Basha kanë mbetur po njëlloj. Opozita vazhdon ta sulmojë atë për shpërdorim detyre dhe të mbështesë Prokurorinë në hapat e saj për ta çuar Ministrin Basha para Drejtësisë. Por akuzat ndaj tij për shpërdorim detyre shfrytëzohen edhe për sulme në drejtim të liderit të PD-së, njëherazi kryeministër, Sali Berisha. "Po t´i referohemi shifrave të bëra tanimë publike nga Kontrolli i Lartë i shtetit dhe ekspertiza në kuadër të hetimeve që ka kryer Prokuroria, rezulton se në bashkëpunim me Lulzim Bashën, vetëm në një aks të rrugës Durrës - Kukës, Berisha ka përvetësuar 230 milion euro. Prandaj Kryeministri po përpiqet të mbrojë me çdo kusht Lulzim Bashën," tha deputeti socialist, Taulant Balla.

Loja e shifrave në qindra milionë euro

Të dyja palët paraqesin dokumenta për të mbrojtur deklarimet e tyre publike në lidhje më çështjen Basha. Në këtë proces ka një kakofoni shifrash, çmimesh për kilometër, parametra teknikë etj. Shifra zyrtare e publikuar nga grupi i ekspertëve të Prokurorisë së Përgjithshme për atë që ata e quajnë" shpërdorim detyre" është 232 milion euro dëm në buxhetin e shtetit. Ndërkohë publikohen shuma të tjera, më të ulta ose me të larta se 232 milionëshi. Opinioni publik mbetet i shokuar nga kjo lojë shifrash me miliona dhe pret që Gjykata e Lartë të zbardhë të vërtetën, pret që ajo t´i japë pafajësinë ose të dënojë Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Rasti i tij është i pari në Shqipërinë post- komuniste, kur një zyrtar i lartë i rangut të tij shkon në dyert e Gjykatës për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.

  • Data 08.12.2008
  • Autor Ani Ruci / Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GBhb
  • Data 08.12.2008
  • Autor Ani Ruci / Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GBhb