1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çmimet e naftës po bien - edhe pa Iranin

Rolf Wenkel31 Korrik 2015

Shkaqet për rënien e çmimit të naftës lidhen me disa faktorë dhe në perspektivë afatgjatë kërkesa do të rritet. Një fuçi prej 159 litrash, kushton sot 55 dollarë, nga 110 dollarë që kushtonte një vit më parë.

https://p.dw.com/p/1G7iX
Fotografi: Colourbox

Edhe pse Irani nuk ka filluar ende të eksportojë naftë në sasi për t'u përmendur çmimi i naftës po bie. Një fuçi prej 159 litrash, kushton sot 55 dollarë, nga 110 dollarë që kushtonte një vit më parë. Ekspertët e lëndëve të para të Commerzbank besojnë se nga mesi i vitit 2016 Irani do të jetë në gjendje të prodhojë rreth gjysmë milion fuçi në ditë. Për krahasim, aktualisht vendet e OPEC-ut prodhojnë më tepër se 30 milionë fuçi në ditë.

Alexander von Gersdorff nga Shoqata e Lëndëve Djegëse thotë se shkaqet për rënien e çmimit të naftës janë më të thella dhe lidhen me rritjen e prodhimit të naftës në SHBA dhe rënien e kërkesës në Kinë, në Brazil apo Rusi. "Në SHBA nxjerrja e naftës ka arritur sërish një nivel shumë të lartë, si në fillim të viteve 70-të" - thotë Alexander von Gersdorff.

Vetëm vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara e kanë zgjeruar prodhimin e naftës me rreth 16 për qind, në 516 milionë ton. SHBA është pra pas Arabisë Saudite dhe Rusisë, prodhuesja e tretë më e madhe në botë, edhe pse gati gjysma e sasisë nxirren me procesin e shtrenjtë dhe të diskutueshëm fracking, nxjerrjes së naftës të papërpunuar nga shtresat shkëmbore poroze.

Erdölförderung in Mexiko
Fotografi: AFP/Getty Imag/O. Torres

Roli i OPEC-ut

Edhe vendet e OPEC-ut, karteli i shteteve eksportuese të naftës, po ndjek një politikë tjetër. Në të kaluarën vendet e OPEC-ut arrinin që çmimi i naftës në treg të ishte i lartë, sepse vendet anëtare prodhonin më pak nga sa kishin mundësi. Por sot OPEC-u nuk është më aq i rëndësishëm sa më parë, sepse me një prodhim prej 1,7 miliardë tonësh në vit, ato zënë vetëm 40% të prodhimit të naftës në botë.

Megjithatë, OPEC-u luan sipas mendimit të Gersdorff ende një rol të rëndësishëm: "Pikërisht me këtë ofertë shumë të lartë, dhe padyshim shumë të vetëdijshme - OPEC-u po sheh nëse nuk mund nxjerrë nga tregu ofertues të tjerë. Të paktën kështu thonë vëzhguesit, e afërt me të."

Me ofertuesit e tjerë mendohen SHBA. Dikur Arabia Saudite e uli prodhimin e naftës për të stabilizuar çmimin. Sot duke nxjerrë sasi prej dhjetë milionë fuçi në ditë, ajo synon ta ulë çmimin aq shumë sa metoda e fracking që përdorin SHBA dhe Kanadaja të mos ia vlejnë më.

Erdölraffinerie Iran
Fotografi: picture-alliance/AP/V. Salemi

Në perspektivë afatgjatë kërkesa do të rritet

Në uljen e kërkesës për naftë ndikon edhe fakti që shumë vende të industrializuara përdorin teknologji që harxhojnë më pak naftë dhe benzinë. Kështu në Gjermani në gjysmën e parë të vitit 2015 ka pasur një rënie të harxhimit të benzinës në masën 2%. Por kjo nuk ndodh në të gjithë botën.

Sipas ekspertëve në të gjithë botën parashikohet që në 20 vitet e ardhshme do të ketë një rritje të kërkesës për energji në 35 deri 50 përqind. Megjithatë me rritjen e kërkesës lidhet edhe një shumëzim i çuditshëm i rezervave botërore të naftës së papërpunuar. "Është fakt që rezervat e naftës janë vërtetë çdo vit e më të mëdha, pavarësisht konsumit të lartë prej 90 milionë fuçi naftë në ditë në botë dhe jo më pak." - thotë von Gersdorff. Kjo lidhet si me gjetjen e burimeve të mëtejshme konvencionale në Atlantik apo para brigjeve të Afrikës dhe të Amerikës Latine, por edhe me teknologjitë e reja si fracking.