1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lamtumirë G8 - po tani?

Bernd Riegert/Angelina Verbica25 Mars 2014

Vendet e industrializuara perëndimore i kanë treguar derën Rusisë. Një fitore diplomatike për presidentin Obama. Por çfarë vjen tani, pyet Bernd Riegert në komentin e tij.

https://p.dw.com/p/1BVO4
G7 në vend të G8
G7 në vend të G8Fotografi: Reuters

Ministri i Jashtëm rus ka në fakt të drejtë. Samitet e G8-ës kanë sjellë vitet e fundit pak rezultate konkrete. Kjo është e vërtetë. Shpesh komentatorët e kishin parashikuar fundin e këtij lloj samiti, sepse ndërkohë G20 me ekonomitë në zhvillim Kinën, Brazilin, Indinë është më e rëndësishme. Por kur Sergej Lavrov thotë, se nuk është aq problem, nëse Rusia nuk ka për të marrë pjesë, kur të takohen të shtatë kombet kryesore të industrializuara, këtë nuk ia beson njeri. Zotërinë e Kremlinit do ta shqëtësojë shumë fakti, që nuk mund të ulet më në tryezën e të mëdhenjve. Nuk kishte rëndësi, se çfarë vendosej në takimin e G8, rëndësi kishte të ishe aty. Pikërisht se klubi është aq ekskluziv.

Bernd Riegert
Bernd Riegert

Gorbaçovi, Jelcini, Putini, të gjithë donin të ishin aty dhe janë munduar shumë, derisa u ulën të barabartë në tryezën e super të pasurve. Në të njëjtin nivel, siç thuhet me dëshirë. Kjo tashmë i përket të kaluarës. Dhe kjo i dhemb njeriut të pushtetit Putin. Përsa i përket diplomacisë Rusia katapultohet në nivelin e vitit 1991. Në atë kohë sekretari i përgjithshëm i PK të BS Mihail Gorbaçov mundi të bënte së paku vizitën e parë në samitin e G7 në Londër. Dhe ishte krenar.

Me krenari donte të tregonte Vladimir Putini Soçin e tij të zbukuruar për mrekulli. Por kjo s'ka për të ndodhur. A do ta bëjë kjo atë të mendohet? Për këtë arsye ai nuk do ta ndryshojë rrënjësisht kursin e tij të ekspansionit, por ndoshta do të bëjë një pushim. Uniteti i admirueshëm i shtatë anëtarëve të tjerë të klubit në kërcënimin me sanksione të mëtejshme dhe në refuzimin e aneksimit të Krimesë nuk duhet ta lërë indiferente udhëheqjen ruse. Presidenti amerikan Barak Obama u shpreh pa asnjë hezitim në mbështetje të Ukrainës, Evropës dhe NATO-s. Dhe gjashtë të tjerët e miratuan. Një plus diplomatik për perëndimin e ri dhe një humbje, një shuplakë në fytyrë për Putinin.

Si do të reagojë ai tani? Do të zemërohet dhe të shtrijë dorën për të marrë Ukrainën lindore? Apo do të përpiqet të organizojë një kundërsamit? Një samit të pasuesve të tij, apo diçka të tillë. Por shumë pasues nuk ka. Rusia nuk ka aktualisht aleatë të vërtetë. Edhe Kina tregohet e rezervuar. A mund t'i rezistojë Putini këtij izolimi në skenën ndërkombëtare?

Lëvizja diplomatike e Hagës nuk do ta anulojë dot shkëputjen e Krimesë, por ndoshta sinjali i G7 do të ndihmojë të paktën për të parandaluar zgjerimin e krizës dhe për të ngadalësuar një përçarje të re në Evropë, kthimin prapa në luftën e ftohtë. Kjo varet tani nga Putini dhe reagimii i elitës udhëheqëse ruse. Nëse ushtria ruse do të avancojë në Ukrainë, si shkallë tjetër e përshkallëzimit mund të provohej largimi i Rusisë nga G20. A do të Sergej Lavrov pastaj po kaq gjakftohtë?

Ekonomia tashmë është duke bërë reagimin e parashikuar. Investitorët po tërheqin paratë e tyre nga Rusia. Nga sipërmarrjet gjermane dëgjon se po shkërmoqet besimi i ndërtuar gjatë dekadave. Nuk është nevoja për sanksione formale ekonomike. Procesi i erozionit ka filluar tashmë. Kjo duhet ta bënte Putinin të mendohej. Tani G7 dhe vendet evropiane duhet t'i mbajnë të hapura kanalet e komunikimit për të sjellë disi në tryezën e bisedimeve Rusinë me Ukrainën. Anulimi i takimit të G8 nuk do të thotë në asnjë mënyrë fundi i diplomacisë.

Por një fitues është përcaktuar tashmë, edhe pse ndoshta ka qenë rastësi. Për herë të parë jo një vend anëtar, por BE në Bruksel do të jetë nikoqiri i samitit të G7. Europa në të njëjtin nivel.