1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë të drejtash kanë emigrantët në vendet e BE-së?

Sabine Ripperger / DW Berlin7 Shkurt 2008

Rreth 20 milionë emigrantë nga vende të treta jetojnë sot në 27 shtetet e BE-së, më shumë se popullsia e Austrisë dhe e Belgjikës së bashku. Prezantohet studimi krahasues për BE-në, Zvicrën, Kanadanë dhe Norvegjinë.

https://p.dw.com/p/D3ar
Fotografi: AP
British Council, Fondacioni Friedrich-Ebert dhe Migration Policy Group nga Brukseli, prezantuan të mërkurën (06.02) në Berlin indeksin e Migration Integration Policy në gjermanisht. Ky grup hulumton kushtet për integrimin e migrantëve në 25 vendet e BE-së (pa Rumaninë dhe Bullgarinë) si dhe në Zvicër, në Norvegji dhe në Kanada. Në vlerësimin e përgjithshëm Gjermania qëndron në mes me vendin e 14. Ato që kryesojnë për integrimin, sipas studimit, janë: Suedia, Portugalia dhe Belgjika. Në bazë të mbi 130 treguesve në studim janë krahasuar kushtet lidhur me aksesin e emigrantëve në tregun e punës, për procedurat e bashkimit familjar, lejet aftgjata të qëndrimit, pjesëmarrja në jetën politike, procedura e marrjes së nënshtetësisë si dhe mbrojtja nga diskriminimi. Suedia, Portugalia, Belgjika dhe Holanda kanë kushtet më të mira dhe zënë vendet e para, Gjermania ndodhet në mes dhe në fund të listës renditen Greqia, Austria, Qiproja dhe Letonia. Në ç´drejtim duhet të bëjë më shumë Gjermania? Jan Niessen, drejtor i Migration Policy Group në Bruksel vëren: “Nënshtetësia dhe puna kundër diskriminimit janë dy çështjet më të rëndësishme. Unë besoj, se Gjermania këto duhet t´i organizojë më mirë. Ajo që për mua është mjaft interesante është, se vende si Portugalia, që janë vende të reja emigracioni, kanë avancuar duke bërë një punë shumë të mirë. Ndoshta do të ishte me interes për Gjermaninë të bisedojë me qeverinë e Portugalisë dhe të krahasojë se çfarë bëjnë portugezët dhe çfarë nuk bën Gjermania." Emigrantët kanë të drejtë të kërkojnë shtetësinë pas 8 vitesh Jan Niessen thekson, se sa i përket procedurës së dhënies së nënshtetësisë Gjermania duhet ta përmirësojë atë rrënjësisht. Në këtë tregues Gjermania ka marrë vetëm 38 pikë nga 100 të mundshme. Kritikohet fakti, që emigrantët kanë të drejtë të aplikojnë për nënshtetësinë vetëm pas tetë vjet qëndrimi dhe që duhet të përmbushin një sërë kriteresh. Edhe sa i përket antidiskriminimit Gjermania nuk zë ndonjë vend dinjitoz Qysh nga viti 2006 është në fuqi ligji i barazisë dhe në të nuk përfshihet direkt mbrojtja prej diskriminimit për shkak të kombësisë. Shumëçka vendoset prej gjykatave. Nota të mira Gjermania ka marrë lidhur me temën e pjesëmarrjes në politikë.
Indeksi i Migrant Integration Policy financohet nga Komisioni i BE-së përmes programit “Aksionet përgatitore për integrimin e shtetasve nga vendet e treta". Projekti menaxhohet nga British Council në bashkëpunim me partnerët studjues të Migration Policy Group. Për përpilimin e indeksit kanë kontribuar mbi 20 partnerët të tjerë kombëtarë si Fondacioni Friedrich-Ebert, ndër ta edhe një numër i madh ekspertësh të njohur të migracionit.