1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Albert-Ludwigs-Universität Freiburg

8 Mars 2011

Universiteti me traditë i Baden-Vyrtembergut ka si pikërëndesë shkencat e filologjisë dhe tërheq mjaft studentë të huaj: Nga 21.000 studentë gjithsej, 16% vijnë nga jashtë.

https://p.dw.com/p/10UvD
"E vërteta do t' ju çlirojë" kjo shprehje është gdhendur në godinën e kolegjeve, Universiteti i FrajburgutFotografi: picture-alliance/ dpa

Universiteti Albert-Ludwig i Frajburgut është njëri nga më të vjetrit në Gjermani. Në vitin 2007 ai festoi 550-vjetorin e lindjes. U themelua në vitin 1457 dhe deri më sot mban emrin e dhuruesve të atëhershëm, të cilët ishin Arkiduka i Habsburgut, Albrecht VI (1418-1463) dhe Duka i Madh, Ludwig von Baden (1763-1830). Qysh në fillesat e tij, Universiteti i Frajburgut kishte katër fakultete: e teologjisë, juridik, mjekësisë dhe të filozofisë. Në auditorët e tij studionin sidomos juristët e ardhshëm të administratës si dhe teologët që do të furnizonin kishën katolike.

11 fakultete me 160 degë

Në universitetin e Frajburgut sot janë të regjistruar rreth 21 000 studentë. Ata mund të zgjedhin nga mbi 160 degët që ofrojnë 11 fakultete. Oferta shtrihet që nga degët tradicionale, si teologjia, juridiku, matematika, fizika dhe biologjia, e deri tek shkencat e etikës dhe të ambientit. Institucionet universitare janë të shpërndara në katër pika. Fakultetet e shkencave filologjike e shoqërore si dhe ato juridike janë në qendër të qytetit. Shkencat e natyrës dhe matematika kanë korpus më vete në të ashtuquajturën “Zona e instituteve” në lagjen Neuburg. Fakulteti i Shkencave të Aplikuara ndodhet pranë pistës ajrore në perëndim të qytetit. Aty është edhe fakulteti i mjekësisë, i cili përbëhet nga 13 klinika.


Universität Freiburg - Bibliothek
Salla e leximit në bibliotekën universitareFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Që nga viti 2007, Universiteti Albert-Ludwig ka të drejtë ta quajë veten zyrtarisht universitet elitar. Suksesin më të madh ky universitet e pati me një kolegj ndërkombëtar hulumtimesh, i cili është me interes veçanërisht për studentët e huaj. Në "Freiburg Institute for Advanced Studies" (FRIAS) hulumtojnë bashkarisht shkencëtarë gjermanë dhe të huaj. FRIAS është përqëndruar në katër fusha: Letërsi dhe Gjuhësi, Filologji, Studimet e përbërjes së Materialeve dhe Shkencat e Jetës. Së bashku me katër universitete të tjera nga zona e Rinit të Epërm, dy syresh në Bazel dhe Strasburg, Frajburgu ka krijuar Konfederatën Evropiane të Universiteteve EUCOR. Kjo shoqatë u krijon mundësi studentëve që të ndjekin leksione edhe përtej kufijve në tri gjuhë: gjermanisht, anglisht ose frëngjisht.

Ndihmë pa burokraci për studentë të huaj

Rreth 16 përqind e studentëve në Frajburg vijnë nga jashtë Gjermanisë. Për ta kujdeset "International Office“, e cila gjendet në ndërtesën e rektoratit të Universitetit “Albert-Ludwig” në Fahnenbergplatz. Është një vend i përshtatshëm për të marrë përgjigje për shumë pyetje që kanë të bëjnë me mundësitë e banimit, të financimit të studimeve, bursat apo degët. Që nga vjeshta e 2008-ës zyra ofron edhe një shërbim shtesë: sportelet e informimit, Info-Points, të cilat shumë studentëve u kanë kursyer ecejaket kuturu nëpër korridoret e pafundme ose pritjet e gjata para zyrave përplot. Gjatë semestrit punonjësit e këtyre pikave janë në dispozicion të studentëve në orare të caktuara dhe i informojnë ata me shpejtësi dhe pa burokraci se ku dhe si të drejtohen me kërkesat e tyre.

Autorin: P.Gram/A. Shuka
Redaktion:V.Filaj-Ballvora